Rrustem Mustafa arrin në Hagë, pas pak pritet intervistimi nga Prokurorët Special

Rrustem Mustafa – Remi ka arritur sot në Hagë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, hyri në ndërtesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për t’u intervistuar në lidhje me pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Komandant Remi ka arritur në ndërtesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për t’u intervistuar. Remi është nisur për në Holandë ditën e djeshme përderisa edhe deklaroi se në Hagë ai do të mbrohet pikërisht nga UÇK-ja.

Tutje ai deklaroi po ashtu se ndihet i pafajshëm dhe se po i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale për pretendimet e bëra nga Dick Marty.

Përpos Remit gjatë ditës së djeshme për në Hagë u nis edhe ish-komandanti tjetër i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Lushtaku parashihet që të intervistohet dy ditë pas Remit, saktësisht me datën 16.

Ftesa për intervistim kanë marrë edhe Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti e Raimonda Rreci.

Avokatët e disa të të ftuarve kanë thënë se klientët e tyre “do të paraqiten vullnetarisht” dhe se “janë të gatshëm të sqarojnë çdo rrethanë” që po heton Prokuroria Speciale.

Është raportuar se Remzi Shala, i cili po ashtu ka marrë ftesë, nuk do të paraqitet në intervistë, pasi ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Në zyrën e Prokurorit Special nuk kanë folur rreth ftesave, ndërsa autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që janë ftuar për intervistë, të përgjigjen, në mënyrë që të tregojnë “luftën e pastër të UÇK-së”.