Kosovari në Zvicër mashtroi një prift, ia mori deri 100 mijë franga

Një kosovar në Zvicër është duke u akuzuar se gjatë viteve ka mashtruar një prift me storie të ndryshme, duke përfituar nga ai deri 100 mijë franga zvicerane.

Prifti i Manastirit të Zugut, vazhdimisht kishte ndihmuar.

Kosovari vinte vazhdimisht me storie për të kërkuar para. Nganjëherë për operacion, nganjëherë për shkollim të vajzës, nganjëherë edhe për blerje të ushqimit. Me kalimin e viteve u konstatua se të gjitha këto ishin mashtrim.

Kosovari 43-vjeçar, një mekanik, kishte vizituar Manastirin e Zugut nga viti 2017 deri në vitin 2020 rregullisht. Ai tregonte për tragjedi në familjen e tij dhe nevojën që ka për ndihmë. Me këtë preku priftin 85-vjeçar. Në total ndihmoi me 100 mijë franga, ndërsa i dha plotë 27 herë para.

“Prifti i besoi kosovarit si të ishte biri i tij. Ai dha 27 herë para gjatë viteve, derisa arriti në një shumë prej 100 mijë frangave. Pasi që u shpenzoi kursimet e tij, ati mori hua edhe nga miqtë për ta ndihmuar familjen”, shkruan “Zentralplus.ch”.

Në mesin e emergjencave që kishte cekur kosovari ishte mungesa e parave për kontrolle për bashkëshorten që dyshohet se vuan nga kanceri. Më pas i tha se ka vdekur bashkëshortja e tij, ndërsa edhe për varrimin pagoi prifti. Pagoi edhe për qëndrimin në Spital apo edhe për shkollimin e vajzës së të akuzuarit.

“Ai dinte saktësisht se si të manipulonte me atin dhe si ta vë nën presion, për të përfituar më tepër”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Zugut që kërkoi dënim me burg.

Prifti nuk kishte mundësi të konfirmonte storiet dhe mekaniku shpesh i paraqiste dokumente false me shkrim për ngjarjet.

Madje prifti ishte paralajmëruar edhe nga Caritasi. Pasi që prifti kishte injoruar sinjalet paralajmëruese, për të akuzuarin kështu Prokuroria ka propozuar dënim më të ulët, pasi nga vetë viktima i është lehtësuar mashtrimi.

Zyra e prokurorit ka kërkuar një gjobë për të paguar për 180 ditë, por pasi i akuzuari nuk ka të hyra të mjaftueshme, e as kursime apo vendim të përhershëm në Zvicër, kjo nuk mund të realizohet.

Kështu që mekaniku duhet të dënohet me 180 ditë burg me kusht, sipas Prokurorisë. Ai do të duhet të vuajë këtë dënim nëse brenda 5 vjetëve bën ndonjë shkelje. Megjithatë, kosovari ka kompensuar 69 ditë, sa qëndroi në paraburgim.

Lajme me shume...