Kryeministri Kurti kujton boksierin Xhevdet Peci

Kryeministri Kurti takohet me drejtuesit e LinkedIn, i fton për investime në Kosovë

Albin Kurti kujton boksierin Xhevdet Peci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar kampionin e boksit, Xhevdet Peci, i cili ka vdekur dje.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve dhe miqve të tij.

“Qysh kur isha fëmijë, para ndeshjeve të futbollit në stadiumin e kryeqytetit të KF “Prishtina” të dielave pasdite, shkonim në Pallatin e Rinisë për t’i parë boksierët e KB “Prishtina”. Bashkë me Lah Nimanin, Nazif Gashin, Aziz Salihun, Naser Bajramin, Mehmet Bogujevcin, Fatmir Makollin dhe boksierë të tjerë, ishte edhe Xhevdet Peci. Me stilin e tij të shpejtë të të boksuarit në ring, Xhevdet Peci i fitoi simpatitë dhe zemrat e mijëra dashamirësve të sportit, mes tyre edhe timen si një fëmijë entuziast për boksierin Xhevdet Peci, që 5 vite rresht askush nuk arriti ta mposhte”.

“I lindur më 17 prill 1955 në fshatin Zhazhë të Mitrovicës, Xhevdet Peci do të bëhej një nga sportistët më të trofeshëm në boksin e Kosovës dhe të Ballkanit. Xhevdet Peci ishte i mirënjohur për grushtet e tij të forta dhe goditjet e parezistueshme, me të cilët nokautonte kundërshtarët pa konsumuar të gjitha raundet. Ai arriti të shpallej katër herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurrencë individuale dhe pesë herë në konkurrencë ekipore si dhe dy herë kampion ballkanik. Me karrierën e tij të pasur, boksieri Xhevdet Peci ka hyrë në historinë e boksit dhe të sporteve në Kosovë, ku ai do të kujtohet për trofetë e fituar, kontributin për zhvillimin e boksit në Kosovë, për grushtet nokautuese të tij, madje edhe për “nokautimin” e referit që i bëri padrejtësi. I fuqishëm qoftë kujtimi për Xhevdet Pecin, ashtu siç qe jeta e tij prej boksieri!”,ka shkruar Kurti.