Kurti: S’po shkoj në Forumin e Prespës, po i pres veteranët (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e anulon pjesëmarrjen në Forumin e Prespës në Maqedoninë e Veriut, për t’i pritur përfaqësuesit e organizatave të veteranëve.

Ai tha se do t’i presë bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, për t’i dëgjuar ata dhe për të diskutuar për të gjitha, njofton Klankosova.tv.

“Ajo që propozoj sot është të anuloj pjesëmarrjen time në Forumin e Prespës dhe po pres në takim bashkë me Hekuran Muratin, udhëheqësit e organiztës së veteranëve të luftës së UÇK-së dhe po i dëgjoj e t’i diskutojmë të gjitha”, është shprehur Kurti.

Kurti tutje tha se përfaqësues i protestës nuk është një deputet i opozitës, duke iu drejtuar Abelard Tahirit, i cili foli në emër të veteranëve.

“Ata janë përfaqësues të protestës jo një deputet i opozitës. Nga Tahiri dëgjova se së pari u prezantua në emër të opozitës pastaj foli në emër të tyre”.

Ndër të tjera, kryeministri tha se nuk ka pse të ndërpritet seanca.

“Do t’i takoj veteranët se padyshim që jam për të drejtën e protestës dhe jam për dialog, por seanca nuk ka pas të ndërpritet, është gabim të ndërpritet, duhet të vazhdoj sepse ka shumë pika”, tha kryeministri.