Kurti: Takimi me Blinken ishte shumë i përzemërt dhe fort i dobishëm

Osmani pas takimit: U rikonfirmua se Kosova s’ka mik më të fuqishëm se SHBA-të

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur pas takimit që së bashku me presidenten e vendit, Vjosa Osmani kanë pasur me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Kurti para mediave në SHBA ka thënë se takimi ishte i përzemërt, e fort i dobishëm në aspektin e raporteve mes Kosovës e SHBA-së.

“Takimi që patëm me zotin Blinken ishte takim shumë i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes SHBA-ve dhe Kosovës. Aty treguam se si Kosova është një histori suksesi e dyfishtë. Rrëfim suksesi i qëndrueshmërisë dhe punës, dhe ndërhyrjes së NATO-së për ta ndalur gjenocidin në Kosovë, dhe histori suksesi e një demokracie cilësore që shkon bashkë me zhvillimin ekonomik”, tha Kurti.

Ai tha se u kërkuan më shumë investime nga SHBA-të, e sidomos në fushën e mbrojtjes.

“Synojmë që siguria e Kosovës që është siguri jo vetëm e shtetit dhe popullit, por edhe progresit të arritur, ta ketë partner SHBA-në”, tha Kurti.