Latifi: Kjo nuk është protestë e veteranëve, por aksion i opozitës sipas metodave të Kurtit

Ndërpritet seanca, Kuvendi shkon në pauzë

Analisti Blerim Latifi, ka thënë se protesta e sotme e veteranëve është aksion politik i opozitës që sipas tij po zhvillohet sipas metodave të dikurshme të Kurtit.

Tutje, Latifi thotë se “një veteran që proteston jashtë Kuvendit për pagën minimale ( të cilën duhet ta ketë patjetër), nuk do të lejonte që zëri i tij të përfaqësohej brenda në Kuvend nga profiterët milionerë të luftës e pasluftës”.

Reagimi i tij i plotë:

Fatkeqësisht kjo nuk është protestë e veteranëve, por aksion politik i opozitës, i zhvilluar sipas metodave të dikurshme të Kurtit: protesto jashtë Kuvendit dhe blloko punën e Kuvendit nga brenda!

Një veteran që proteston jashtë Kuvendit për pagën minimale ( të cilën duhet ta ketë patjetër), nuk do të lejonte që zëri i tij të përfaqësohej brenda në Kuvend nga profiterët milionerë të luftës e pasluftës.

Sot ne po shohim faktikisht një ofendim të dyfishtë të veteranëve: nga pushteti që i ka sjellë në këtë situatë me protestu për një pagë minimale, e cila realisht është edhe më keq se minimalja e ekzistencës, dhe nga opozita, e cila hapur po bën lojën e përdorimit të veteranëve për qëllimin e saj të ardhjes në pushtet.