Më ulët s’ka ku shkon, zbulohet shuma e transferimit të Haalandit te Man City
Manchester City njoftoi sot edhe zyrtarisht për transferimin e Erling Haalandit.
Klubi anglez konfirmoi për arritjen e marrëveshjes në parim edhe me klubin e Borussia Dortmundit.
Kësisoj, Haaland do t’i bashkohet kampionit anglez nga sezoni i ardhshëm.
Manchester City nuk ka zbuluar detaje të tjera ende, por një gjë të tillë e ka bërë gazetari dhe eksperti i transferimeve, Fabrizo Romano, shkruan Express.
Sipas tij, afër 60 milionë eurove është shuma e transferimit të 21-vjeçarit në “Etihad Stadium”. Një çmim padyshim se i vogël, duke marrë parasysh çmimet e transferimeve të bëra viteve të fundit.
Ish-sulmuesi i Salzburgut raportohej se kishte klauzolë lirimi prej 75 milionë eurove, por klubi i Premierligës duket se ka arritur për ta ulur dukshëm këtë shumë.
Romano bëri të ditur gjithashtu se Manchester City është duke përgatitur një njoftim tjetër zyrtar, ku do të zbulojë të gjitha detajet e tjera.
Erling Haaland me “Qytetarët” do të ketë kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2027.