Marrëveshja: Erdogan çliron grurin ukrainas, synon dhe paqen

Ukraina dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për të rifilluar eksportet e grurit nga Ukraina, pas një bllokade disamujore, e cila mund të reduktojë urinë në botë.

Nga Stambolli, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për fillimin e eksportit të grurit nga Ukraina.

Ai tha se marrëveshja hap rrugën për eksportin e sasive të konsiderueshme të ushqimit nga tre portet kryesore të Ukrainës: Odesa, Chernomorska dhe Yuzhnia.

Mijëra ton grurë kanë pritur në portet e Ukrainës për javë të tëra, një pengesë e shkaktuar nga pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj që nga fundi i shkurtit.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në zyrën e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll, raporton Reuters dhe ngjarja ngre pritshmëritë se kriza globale e ushqimit do të zbutet.

“Ne jemi krenarë që jemi pjesë e zgjidhjes së krizës ushqimore që po trondit botën, miliarda njerëz po përballen me urinë dhe me këtë marrëveshje ne po e zgjidhim atë problem pjesërisht”, tha Erdogan.

“Qendra e përbashkët e kontrollit do të jetë në Stamboll”, shtoi lideri turk.

“Falënderoj Putinin dhe Zelensky-n për udhëheqjen e tyre në këtë proces, së shpejti do të fillojë një fluks i ri ushqimi që do të sjellë lehtësim”, tha presidenti turk, duke shpresuar për një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë, duke njoftuar përpjekjet e reja të Turqisë për të krijuar paqen “për të mirën e njerëzimit”.

“Ky konflikt po u shkakton vuajtje të pafajshmëve, duke marrë jetë të pafajshme…kjo qendër e përbashkët në Stamboll është një moment historik për paqen dhe kjo është dëshira ime më e thellë,” tha Erdogan.

OKB-ja pret që marrëveshja për vazhdimin e eksportit të grurit ukrainas përmes Detit të Zi do të jetë plotësisht funksionale brenda disa javësh dhe se niveli i dërgesave do të kthehet në periudhën e paraluftës, e cila ishte pesë milionë tonë në muaj.

Zyrtarët e OKB-së thonë se palët kanë rënë dakord mbi kuadrin e përgjithshëm të nismës, si portet që do të angazhohen, ngritja e një qendre të përbashkët monitorimi në Stamboll, metoda e inspektimeve të anijeve dhe kufizimet e planit.

“Përpara nesh është një ritëm shumë i shpejtë i zbatimit të planit. Tashmë nesër po fillojmë ngritjen e një qendre të përbashkët koordinimi. Megjithatë, do të kalojnë disa javë para se anijet të fillojnë të shkojnë në dhe nga portet”, thanë zyrtarët, sipas Reuters.

Këshilltari i presidentit ukrainas, Mihailo Podolyak, tha më parë se Ukraina po nënshkruan marrëveshjen e shumëpritur për zhbllokimin e eksporteve të grurit me Kombet e Bashkuara dhe Turqinë dhe jo me Rusinë.

“Ukraina nuk nënshkruan asnjë dokument me Rusinë. Ne nënshkruajmë një marrëveshje me Turqinë dhe OKB-në dhe marrim të gjitha detyrimet ndaj tyre.Rusia nënshkruan një marrëveshje pasqyre me Turqinë dhe OKB-në”, shpjegoi Podoljak në Twitter.

Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu nënshkroi marrëveshjen në emër të Moskës. /tesheshi