Masat anti-Covid, nënkryetari i Gjilanit i del kundër Armend Zemajt


Nënkryetari i Gjilanit i del kundër Armend Zemajt në lidhje me masat anti-COVID.

Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka ngritur zërin kundër Qeverisë përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë që tani udhëhiqet nga ministri në detyrë, Armend Zemaj, kur ato, sipas tij, nuk e kanë përfillur interesin qytetar, të biznesit, e në veçanti të gastronomëve, me rastin e shtimit të rigorozitetit të masave anticovid.

Gjilani së fundmi nga rangimi i komunave sipas zonave lidhur me COVID është në zonën e verdhë ( në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm).

Ismajli ka thënë se ky qytet ka një ekonomi të dëmtuar nga pandemia dhe se qytetarët kanë humbur durimin sa i përket masave anticovid kur dihet se si ishin shkelur masat nga vetë politikanët në kohën e fushatës zgjedhore.

“Qeveria në detyrë duhet të bëhet më serioze dhe të shkojë më faqebardhë nga verdikti final i sovranit. Ministria e Shëndetësisë, nuk duhet t’i pengojë edhe më tutje gastronomët, bizneset dhe qytetarët, sidomos pas gjendjes shkatërruese socio-ekonomike nga pandemia. Politikanët tanë nuk duhet vënë represion ndaj këtyre kategorive, e sidomos ndaj gastronomëve, sepse presioni i bizneseve dhe qytetarëve është akumuluar pas grumbullimeve të thirrura nga vetë grupet politike nëpër fushatë”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Ai tha se durimit i ka ardhur fundi, dhe se gastronomët, qytetarët dhe bizneset nuk presin më gjatë. Përndryshe, Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, nën udhëheqjen e nënkryetarit Ismajli, ka mbajtur takimin për vlerësimin e situatës për dy ditët e fundit.

Ismajli tha se ka një rritje të infeksionit në Gjilan ditëve të fundit, duke shtuar se kjo dëshmon që virusi është prezent në mesin tonë.

“Kemi një rritje të ndjeshme të rasteve të reja pozitive dhe kjo dëshmon se virusi është ne mesin tonë. Andaj, apeloj qytetarët dhe bizneset që japin shërbime që të vazhdojnë t’i respektojnë masat, vendosjen e maskës dhe mbajtjen e distancës”, ka thënë Ismajli.

Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 12479 mostra, 3773 kanë rezultuar pozitivë, 3464 janë shëruar, 111 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 200 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 28 persona dhe 212 mostra në pritje për rezultat.


Mundesia me shume...
Pamje me shume...