Mbi 1500 raste aktive me COVID, 62% e qytetarëve të vaksinuar me dy dozat e vaksinës

Ditët e fundit janë rritur në mënyrë enorme rastet me COVID-19 në vendin tonë.

Vetëm sot Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë regjistruar 304 raste të reja me coronavirus nga mbi 10.042 testime, apo 40 raste më shumë se sa dje ku u regjistruan 264 raste, duke çuar në 1552 numrin e personave të prekur aktualisht nga virusi.

Ministria e Shëndetësisë ndërkaq ka bërë të ditur se mbi 62 për qind e qytetarëve të moshës madhore janë vaksinuar me të dy dozat kundër COVID-19, ndërkaq më shumë se 70 për qind e qytetarëve të kualifikuar kanë marrë të paktën një dozë.

“Më shumë se 70% e qytetarëve të kualifikuar kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa mbi 62% e qytetarëve të moshës së rritur janë plotësisht të vaksinuar, dhe nivelet tona të vaksinimit janë ndër më të lartat në rajon”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie në Facebook.

Ndërkaq, MSH ju ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar të lajmërohen në qendrën më të afërt të vaksinimit dhe pas tre muajsh kur imunizohen me dozën e dytë të kujdesën që të marrin edhe dozën përforcuese.

“Bashkë ia dalim, andaj, nëse një nga të dashurit tuaj nuk është vaksinuar ende, bisedoni me ta dhe shikoni nëse mund të ndihmoni. Le t’i bëjmë ato shifra edhe më të larta dhe le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mposhtur këtë pandemi”, thotë MSH.

Lajme me shume...