Mbledhja e përbashkët e qeverive Kosovë-Shqipëri, kjo është agjenda

Bankat komerciale në Kosovë me shërbimet më të shtrenjta në rajon

Sot në Prishtinë do të zhvillohet mbledhja e radhës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë pritet të mbërrijë aty në orën 10:45 dhe në orën 11:00 është planifikuar pritja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sesioni plenar i mbledhjes së dy qeverive është planifikuar të nis në orën 11:15 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt.

Më pas, nga 12:45 është planifikuar një konferencë për shqyp e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe homologut të tij shqiptar, Edi Rama.

Duke klikuar këtu mund ta gjeni agjendëne plotë.

Mbledhja e fundit e tillë ishte mbajtur në fund të nëntorit të vitit të kaluar në Elbasan. Aty ishin nënshkruar 13 marrëveshje.

Dy kabinetet qeveritare pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike.

Pavarësisht kritikave për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se rezultate konkrete nga marrëveshjet e firmosura në nëntor të vitit të kaluar në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Elbasan.

“Deri më tani rezultate konkrete nga ato marrëveshje kemi lehtësimin e procedurave për leje qëndrimin pesëvjeçar të qytetarëve të dy vendeve, hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë, lehtësimin e procedurës për njohjen dhe njehsimin reciproke të diplomave, ndihmën e ndërsjellët juridike në çështje civile dhe tregtare, krijimi i kalendarit të përbashkët kulturor, vjetor 2021-2022 Shqipëri-Kosovë, rritja e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore, kurse edhe atë të bujqësisë”, tha Kryeziu.

“Disa marrëveshje nga mbledhja e kaluar janë drejt finalizimit praktik të tyre, por iu ka mbetur që të adresohen edhe disa çështje teknike, sikurse ajo rregullimi i regjimit të trafikut lokal kufitar, lehtësimi i procedurave kufitare në pikën Vërmicë-Morinë, studimi i fizibilitetit për segmentin hekurudhor Prishtinë-Durrës, Durrës-Prishtinë, si dhe njohja e ndërsjellë e sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve”.

Gjatë mbledhjes së sotme, vëmendje të veçantë do të marrë edhe projekti i ri i portit të Durrësit që pritet të ketë edhe Portin e Thatë në Prishtinë, dhe më pas lidhja me hekurudhën Prishtinë-Durrës.

Ndërsa lidhur me mospajtimet me kryeministrin Edi Rama, rreth iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”, Kryeziu thotë se pavarësisht këtyre, mbledhja e përbashkët është dëshmia më e mirë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Fakti që kemi dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive në më pak se një vit, flet dhe është dëshmi për vullnetin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve tona. Në nëntor të vitit 2021 kemi pasur një mbledhje të përbashkët në Elbasan, në qershor të vitit 2022 po mbajmë një mbledhje në Prishtinë. Herën e kaluar kemi nënshkruar 13 marrëveshje, shumica e tyre kanë gjetur tashmë zbatim. Këtë mbledhje po synojmë të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që synim kanë bashkëpunimin dhe lehtësimin e qytetarëve të dy vendeve. Kjo është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit, pavarësisht mos pajtimeve për çështje të caktuara”, deklaroi Kryeziu.

Mbledhja e sotme e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë është e teta me radhë.