Mbrojtësit e Thaçit e të tjerëve kërkojnë listën e dëshmitarëve që do të përdoren në gjykim, ZPS-ja s’ua jep


Avokatët e Thaçit e të tjerëve kërkojnë listën e dëshmitarëve që do të përdoren në gjykim, ZPS-ja s’ua jep.

Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk janë pajtuar në seancën e sotme paragjyqësore që këta të fundit ta bëjnë dhe ta dorëzojnë një listë të dëshmitarëve të cilët mendon t’i përdor në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, raporton Gazeta Express.

Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tha se Prokuroria duhet t’ua japë këtë listë, në mënyrë që ekipet mbrojtëse të përgatiten për gjukimin.

“Për cilët dëshmitarë kërkon t’i thërrasë në gjykim dhe cilët nuk do t’i thërrasë. Kemi dëshmitarë për të cilët ZPS-ja ka marrë deklaratë dhe mendoj se ata do të dëshmojnë. Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona, dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë”, tha avokati Mishetiq.

Me këtë u pajtua edhe David Young, avokat i Rexhep Selimit, si dhe mbrojtësit e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.

“Unë do të thosha thjesht se e mbështesim kërkesën e ngritur nga avokati i Z. Thaçi”, tha Nick Kaufman, avokat i Kadri Veselit.

Ndërsa një prokurore nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kërkesa e mbrojtësve të ish-krerëve të UÇK-së është “jashtë kontekstit”.

“Kjo kërkesë nga mbrojtja është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes sonë gjyqësore”, tha ajo.

“Koncepti i listës paraprake të dëshmitarëve është element që duket se mbrojtja e ka marrë në një çështje të paraqitur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Lista paraprake e dëshmitarëve publikohet në rrethana shumë të veçanta, me udhëzime shumë të rrepta. Nuk jemi në ato rrethana. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë”, tha prokurorja.

Ajo shtoi se Prokuroria do t’i nxjerrë materialet e dëshmitarëve të cilat do t’i përdor në gjykim.

Në kundërpërgjigjje, avokati Luka Mishetiq tha se “Nuk shoh asnjë arsye se pse e kanë kaq të vështirë Prokuroria ta bëjë këtë (listën).

“Pse kërkohen kaq shumë burime për ta bërë një listë të tillë? Ne e shikojmë që ata kanë nxjerrë materiale, por ato nuk na tregojnë se cilët do të vijnë të dëshmojnë dhe cilët nuk do të japin dëshmi. Derisa të na japin një arsye të fortë se pse nuk na japin këtë listë, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”, tha avokati amerikano-kroat.


Na lexoni...

Edhe informacione tjera

Mundesia me shume...
Pamje me shume...