Mësohet data se kur Kosovës do t’i hiqen vizat

Hapet rruga për konfiskimin e pasurisë/ E mbështet edhe Komisioni i Venecias

Në institucionet askush nuk dëshiron të flasë, nëse po ndodhë liberalizimi i vizave apo jo. Përvoja e hidhur e disa viteve më parë, kur u derdh shampanja, për të festuar, po i mban institucionet si në ethe.

Akti më skandaloz është ai i hapjes së shampanjës nga ish-ministri i Integrimeve Bekim Çollaku, kur kishte festuar me ministra të tjerë dhe me kabinetin e tij, me 4 maj 2016. E dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi i ka uruar shqiptarët për “liberalizimin e vizave” me një fotografi ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Isa Mustafa. Por, askush prej tyre nuk është hetuar, nëse ata mashtruan, dhanë shpresa të rrejshme, ishte një teatër-lojë, apo vërtetë dikush i mashtroi.

Por, tani një burim i Qeverisë së Kosovës, i tha gazetës “Bota sot” në një përgjigje, se me 23 qershori vendimi do të jetë pozitiv. I pyetur nëse edhe Franca tashmë ka vendim pozitiv, ai tha po. “Franca e ka ndryshuar qëndrimin, tashmë është pozitiv”, thotë ai.

“Fjalët janë ashtu. Po besojmë”, tha një burim qeveritar, duke shtuar se kjo pritet të ndodhë javën tjetër, gjegjësisht me 23 qershor.

I pyetur nëse ndonjë nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, mund ta pengojë heqjen e vizave, ai thotë “Jo”, kjo nuk do të ndodhë. “Për heqje të vizave janë të gjithë, vetëm Franca e pat bllokuar deri më tash”, thotë ai.

Por, se kur do te mund të fillojnë të lëvizin lirshëm shqiptarët, varet nga vendimi që do ta marrë Këshilli Evropian, pra mund të jetë pas 3 muajsh apo 6 muajsh, apo një datë tjetër brenda kësaj kohe. Sipas deklarimeve të Qeverisë së Kosovës janë plotësuar të gjitha kriteret nga 95 sa i ka të vendosura BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.

Kosova në fakt është i vetmi vend që mbahet i mbyllur, dhe qytetarët tanë nuk kanë të drejtë të lëvizjes së lirë, pa viza brenda BE-së.

Të martën, gjatë kësaj jave, Parlamenti Evropian në Raportin për Kosovën, i cili u miratua në Komisionin e Politikës së Jashtme të BE-së bëri thirrje për liberalizim të vizave për Kosovën, duke theksuar se është vonuar shumë ky proces. Gjithashtu i është kërkuar nga vendet anëtare të Këshillit të BE-së, që “me urgjencë” të shkojnë drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke bërë vërejtje, sipas raportimeve në media, se vonesat e reja do të dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së.

Presidentja Osmani, dje ka deklaruar se heqja e vizave është një vendim i lehtë për BE-në, veçmas në rrethanat, si në Ukrainë, për të cilën gjë duhet të jepet mesazh ndihme dhe bashkëpunimi, që ajo e quan ‘mesazh gjeopolitik’ në raport me Ukrainën dhe shtetet e tjera./Bota Sot