Michael Carpenter: Presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë

Mjeku kosovar: Të ikim apo të rrimë, pyetja që secili ia bëjmë vetes tri herë në ditë

Carpenter: Presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Carpenter, ka publikuar komentet e tij të dhëna sa i përket raportit të shefit të OSBE-së, Michael Davenport, për Republikën e Kosovës, raporton Gazeta Express.

Carpenter ka thënë se SHBA-ja e mbështet fuqishëm punën e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe vlerëson bashkëpunimin e ngushtë në përkrahje të zhvillimet të Kosovës si një anëtare e sigurt, demokratike dhe gjithëpërfshirëse e komunitetit evropian të kombeve.

Carpenter ka theksuar se puna e misionit të OSBE-së është edhe më e rëndësishme në Kosovë, marrë parasysh luftën e Rusisë në Ukrainë, zhvillim ky që nënvizon nevojën për të mbrojtur vlerat mbi të cilat bazohet OSBE-ja dhe që Misioni kërkon të avancojë përmes mandatit dhe punës së tij.

Tutje ambasadori i SHBA-së në OSBE ka përmendur zgjedhjet lokale të nëntorit 2021, duke thënë se ka qenë një arritje e madhe fakti që KQZ-ja ka arritur të organizojë këto zgjedhje pa mbështetjen e misionit të OSBE-së. Gjithashtu shefi i misionit të përhershëm të SHBA-së në OSBE, ka thënë se këto zgjedhje kanë prodhuar shumë zyrtarë për herë të parë, gjë që është një dëshmi e gjallërisë dhe demokracisë në Kosovë.

Misioni i SHBA-së gjithashtu thotë se vlerëson faktin që OSBE-ja kishte shprehur gatishmëri për të mbështetur pjesëmarrjen e serbëve me të drejtë vote në Kosovë në zgjedhjet e Serbisë.

“Ne inkurajojmë prioritizimin e vazhdueshëm të përpjekjeve të ekipit tuaj për demokratizimin, së bashku me qeverisjen e mirë dhe barazinë gjinore në qeverisjen vendore. Ne gjithashtu përgëzojmë gatishmërinë e Misionit për të mbështetur edhe një herë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës me të drejtë në zgjedhjet e Serbisë”, thuhet në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të Misionit të SHBA-së në OSBE, raporton Express.

Tutje thuhet se misioni i SHBA-së është duke monitoruar nga afër incidentet që kanë pasur për target Policinë e Kosovës në veri, duke thënë se i dënojnë të tillat dhe kërkojnë hetim për to.

“Këto sulme ndodhën derisa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne bëmë paralajmërim kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, thekson tutje komunikata.

Misioni i SHBA-së në OSBE tutje thotë se kërkon paqe, drejtësi dhe të ardhme për një Kosovë që është plotësisht e integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe pjesë e një Evrope të lirë dhe reziliente.

Në fund Carpenter vlerëson mënyrën e raportimit periodik për Kosovën përmes OSBE-së dhe në fund shpreh keqardhjen që Kosova s’është aty për të përfaqësuar veten. Carpeneter thotë se e presin me padurim ditën kur Kosova do të jetë pjesë e misionit të OSBE-së dhe thotë se një gjë e tillë mund të ndodh.

“Vetëm duke dëgjuar drejtpërdrejt nga zyrtarët e vendit pritës, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, mund të kuptojmë plotësisht dinamikën në terren dhe të përcaktojmë se si t’i trajtojmë ato më së miri. Prandaj, ne e mirëpresim këtë praktikë dhe inkurajojmë që ajo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë. Ne e presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë”, përfundon komunikata.