Ministri i ri i Shëndetësisë pa plan për COVID-19

Medlin Olbrajt zgjidhet në Këshillin e Mbrojtjes në Pentagon

Asnjë pacient i hospitalizuar, 350 raste aktive, ministri i ri i Shëndetësisë pa plan për COVID-19.

Kosova ende po vazhdon të përballet me pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19, ndonëse me pak raste aktive e me një ministër të ri.

Rifat Latifi, një mjek nga New York është ministri i ri i Shëndetësisë, pas dorëheqjes së ish-ministrit Arben Vitia nga kjo pozitë i cili garoi për kryetar të Prishtinës dhe i humbi zgjedhjet, shkruan lajmi.net.

Por, edhe pse është emëruar frik dhe në mesin e luftës me pandeminë, Latifi s’ka ndonjë plan si të luftohet virusi. Ai në konferencën për media ku u prezantua si ministër iu tha gazetarëve se i duhet kohë të konsultohet me ish-ministrin Vitia sa i përket pandemisë.

“Për pandeminë, unë duhet të bisedoj me ish-ministrin e Shëndetësisë dhe do të njoftohem me të gjitha të dhënat. Deri tani unë di vetëm ato që dini edhe ju nga gazetat. Virusi është aktual dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, ka thënë Latifi kur është pyetur për ndonjë plan në lidhje me luftimin e pandemisë.

E deri më sot, ai është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ka vizituar Qendrën e Vaksinimit në sallën 1 Tetori, por jo me ndonjë veprim konkret sa i përket pandemisë.

“Për qytetarët, ne mos të harrojmë që Covidi nuk ka ikur dhe është këtu në mesin tonë, me një variant ose një variant tjetër, Delta apo ndonjë variant tjetër. Ju lutem vaksinohuni. Nëse vaksinohemi, ne mund t’i mbajmë shkollat hapur, bizneset hapur, ekonominë hapur, mund të udhëtojmë. Prandaj shkoni vaksinohuni. Nuk keni nevojë me qenë vetëm në Prishtinë, por në të gjitha qendrat anembanë, pavarësisht a je qytetar i Kosovës apo nuk je”, tha Latifi gjatë vizitës së tij në 1 Tetori.

Ndërkohë, kur në Kosovë janë aktualisht 352 raste aktive dhe pozitiviteti i rasteve është vetëm 0,45 përqind, po vazhdojnë masat anti-Covid siç janë bartja obligative e maskës, orari i shkurtuar i punës së gastronomisë dhe ora policore nga 00:00 deri në 05:00 të mëngjesit.

Masat në fuqi janë të barabarta si për personat e vaksinuar si për ata të pavaksinuar dhe nga ekspertët po vlerësohet se kjo ka bërë që të ulet numri i personave të interesuar për vaksinim. Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë administruar vetëm 2,022 doza të vaksinës. Ndërkohë të vaksinuar me dy doza deri më tani në Kosovë janë 755,654 qytetarë.

Mbetet të shihet nëse masat në fuqi do të rishikohen nga ministri i ri.

Lajme me shume...