Ministri Latifi mesazh qytetarëve: Vaksinohuni pa hezitim

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, ka vizituar sot QKMF-të në komunat e Skenderajt, Klinës dhe Istogut, ku u takua me kryetarët e komunave, me drejtorët e Departamenteve të Shëndetësisë, drejtorët e QKMF-ve, dhe stafin mjekësor.

Qëllimi i këtyre vizitave, ishte thirrja për vaksinim të qytetarëve dhe dhënia e mirënjohjeve për stafin mjekësor dhe infermierët, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre dhanë gjithçka nga vetja për të mbrojtur qytetarët në kohë pandemie.

Ministri Latifi, tha se përmes dhënies së mbi 1.8 milionë doza të vaksinës, nga të cilat 63% të popullatës mbi 12-vjeç kanë marrë nga një dozë dhe 57% nga dy doza dhe 70% të popullatës mbi 18-vjeçe kanë marrë nga një dozë dhe 64% nga dy doza, janë shpëtuar qindra apo edhe mijëra jetë.

E tëra kjo, sipas ministrit Latifi, përmes një vaksinimi që në Kosovë filloi më së voni në rajon, por falë përkushtimit, e renditi Kosovën në mesin e shteteve më të mira në rajon për vaksinimin kundër COVID-19.

Temë diskutimi në këto takime ishte edhe fillimi i vaksinimit me dozën e katërt për personat mbi 40-vjeç, ndërsa MSH ka lejuar edhe vaksinimin e fëmijëve prej 5-11 vjeç.

“Komiteti po diskuton mundësinë që së shpejti me dozën e katërt të lejojë vaksinimin edhe të personave me sëmundje kronike. Vaksina kemi mjaft, të sigurta dhe efektive. Andaj, duhet të rrisim ritmin e vaksinimit dhe unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim”, tha ministri Latifi.

Ndërkaq, kryetarët e komunave falënderuan ministrin Latifi për vizitën duke thënë se kjo tregon përkushtimin e tij për shëndetin e qytetarëve, në mënyrë që të kemi shërbime sa më të mira për pacientët.