Në Kosovëm, vetëm 29 për qind e nënave ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri deri në muajin e gjashtë

Kryeministri Kurti: Liria e popujve po rrezikohet sot edhe në Ballkan

Vetëm 29 për qind e nënave kosovare ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri deri në muajin e gjashtë.

Të ushqyerit e fëmijëve me qumësht gjiri në Kosovë nuk është në nivelin e duhur, ku vetëm 29 përqind e nënave e ushqejnë fëmijën me qumësht gjiri deri në muajin e gjashtë.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Grupi i Grave Deputete (GGD) me temën “Zbatueshmëria e legjislacionit dhe sfidat për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri”, gjatë së cilës u theksua se krejt kjo për shkak të mungesë së informacioneve që duhet ofruar nënave nga institucionet shëndetësore.

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti u shpreh se përmes kësaj tryeze dëshirojnë të shohin se a ka nevojë për ndryshime në legjislacionin për të ushqyerit me qumësht gjiri.

Një prej punëve që edhe vetë ligji na e obligon është promovimi i rëndësisë së gjidhënies.

“Është një punë fillestare për zbatueshmërinë e ligjit dhe çështjet tjera që lidhen jashtë ligjit për aq sa mund të bëjmë ne si deputetë për ato që ne na obligon ligji jo vetëm t’i hartojmë e t’i lëmë ligjet në sirtarë a kanë zbatueshmëri apo kanë nevojë të pasurohen dhe të plotësohen e ndryshohen. Për mua personalisht ky ligj është jashtëzakonisht me rëndësi edhe sepse lidhet me të drejtat në punë direkt një pjesë e ligji për pjesën që flet që ‘gruaja e punësuar pas kthimit në punë ka të drejtën nëse është kthyer pas 6 muajsh derisa foshnja është 1 vjeç ka të drejtën e pushimit prej 2 orësh në ditë jashtë pauzës, kurse në vitin e dytë të fëmijët prej 1 deri 2 vjeç është edhe një orë tjetër. Ky është një aspekt i rëndësishëm për çka mua më vjen mirë që Kosova ka një ligj të tillë. Ne sot nuk e dimë se sa është niveli i zbatimit”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku u shpreh se si ministri krahas promovimit të gjidhënies gjatë procesit të shtatzënisë në institucione shëndetësore, me qëllim të promovimit të ligjit për gjidhënie aplikohen edhe vizitat në shtëpi në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor.

“Në kuadër të MSh-së përveç trajnimeve të cilat janë dhe kryejnë detyrën e tyre që nga gjinekologët gjatë shtatzënisë, përcjelljes së shtatzënisë po ashtu me promovimin e gjidhënies rol të rëndësishëm luajnë edhe mamitë dhe neonatologët të cilët punojnë me gratë shtatzëna në edukimin shëndetësor në promovim të gjidhënies. Përveç promovimit që bëhet në institucionet shëndetësore në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor i kemi edhe vizitat në shtëpi që realizohen dhe janë të parapara që gjatë shtatzënisë të bëhen dy vizita mjekësore në shtëpi nga ekipet mjekësore, ndërsa tek fëmijët nga dita e tretë e lindjes e deri në moshën 3-vjeçare bëhen pesë vizita në shtëpi, kjo e përfshinë zbatimin e ligjit i cili parasheh që punëtorët shëndetësorë të ofrojnë shërbime për ta jo vetëm brenda institucioneve por edhe shtëpitë e tyre”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku u shpreh se rekomandimet flasim që të ushqyerit me qumësht gjiri është i rëndësishëm sidomos gjashtë muajt e parë të jetës.

“Është elementi promovues që e kemi të gjithë ne si shoqëri sepse kur është përmendur zgjedhja e një nëne mendoj se do të duhej të ishte zgjidhje e fundit që do ta bënte me vullnet, ajo do të duhej të ishte ndoshta vetëm në rast se për shkak të arsyeve tjera shëndetësore, që një nënë nuk ka mundësi ta ushqejë fëmijën e saj me gji dhe duhet ta ushqejë me ndonjë mënyrë alternative, përndryshe në 6 muajt e parë sipas të gjitha rekomandimeve të OBSh-së dhe çdo mjeku, pediatri dhe kujtdo qoftë është që qumështi i gjirit të jetë si një ushqim ekskluziv i një fëmije në 6 muajt e parë por deri në moshën 2-vjeçare të vazhdohet ushqyerja me gji”, theksoi ajo.

Ndërsa, Visare Mujko-Nimani nga UNFPA u shpreh se në mungesë të informacioneve nga institucionet shëndetësor niveli i gjidhënies në Kosovë nuk është në nivelin e duhur.

Mujko-Nimani tha se procesi i gjidhënies duhet të diskutohet gjatë shtatzënisë e jo pas lindjes së fëmijës.

“Gjidhënia në Kosovë nuk është në nivel si duhet arsyet janë të ndryshme, ndoshta flas prej përvojës time personale dhe çka po vërejmë se sa më i lartë niveli arsimit aq më e madhe gjidhënia që në realitet ndoshta ishte dashur me qenë më ndryshe dhe kjo po tregon se nuk ka informata të mjaftueshme dhe të drejta që po i përcillen grave në nivelin e institucioneve shëndetësore për të mirat dhe benifitet që jep gjidhënia. Në radhë të parë UNFPA në kohën e lehonisë e shikojmë mirëqenien e nënës dhe të fëmijët dhe gjatë kësaj periudhe si të pandalshme dhe nuk mund të flasim vetëm për mirëqenien e fëmijës që gjidhënia është e mirë sepse në radhët të parë është e mirë edhe për mirëqenien e gruas dhe këto janë informata që gruas nuk i jepen dhe ndoshta është dashur me iu dhënë qysh gjatë kohës së shtatzënisë“, u shpreh ajo.

Ndërsa, Dafina Muqaj nga UNICEF tha se në një raport në vitin 2020 tregon se vetëm 32% e fëmijëve në Kosovë ushqehen me qumësht gjiri në orën e parë të lindjes.

Ajo tha se 29% e fëmijëve në Kosovë ushqehen vetëm me qumësht gjiri në gjashtë muajt e parë pas lindjes.

“Qëndrojmë jo mirë dhe kisha me thënë keq sa i përket specifikisht gjendjes së ushqyerit me qumësht gjiri apo ushqyeshmërisë së fëmijëve në përgjithësi. Vitin 2020 është bërë anketa apo studimit i miksit apo anketa e shumëfishtë i mbështetur nga UNICEF dhe ASK ku tregon se vetëm 1 një tre fëmijë apo vetëm 32% e fëmijëve në Kosovë ushqehen me qumësht gjiri vetëm 1 orë pas lindjes. Që është do të thotë një indikator kyç, ndërsa prevalenca e ushqyerjes ekskluzive me qumësht gjiri brenda 6 muajve të parë është vetëm 29%, vetëm 29% e nënave e ushqejnë fëmijën me qumësht gjiri deri në muajin e gjashtë, janë disa faktor por njëra është mungesa e informacionit të duhur mbi rëndësinë e gjidhënies por edhe tjetra është mungesa e mbrojtjes së nënave dhe fëmijëve nga tregtimi dhe promovimi i ushqyesve të gjirit e ushqimeve tjera industriale”, tha Muqaj.