Nesër paradite Kurti takon veteranët, pasdite Konjufca viziton ish-krerët e UÇK’së në Hagë

U arrestua dhe u lirua menjëherë/ Ky është reagimi i Dardan Molliqajt

Dy drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e Glauk Konjufca të premten kanë takime tepër të rëndësishme e interesante.

Derisa shefi i Qeverisë, Albin Kurti paradite do ta ketë një takim “detyrues” me veteranët e UÇK-së pas protestave të sotme, në anën tjetër Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të udhëtojë për vizitë në Hagë nesër, më 17 qershor, raporton GazetaBlic.

Kurti e ka ftuar ushtruesin e detyrës së OVL të UÇK-së, Faton Klinaku në takim për të diskutuar për kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve të veteranëve baras me pagën minimale.

Ndërkohë, Konjufca për herë të parë e “shkrin akullin”, ku si përfaqësues i lartë i shtetit dhe i Vetëvendosjes do t’i takoj krerët e UÇK-së.

Vizitën e tij e kishte bërë e ditur shefi i kabinetit të kreut të Kuvendit, Ilir Kërçeli, i cili tha se së bashku me kryeparlamentarin Konjufca do të udhëtojnë për në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së.

Lidhur me këtë vizitë kishte reaguar edhe u.d. i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i cili e ka quajtur Konjufcën “dyfytyrësh”.

“Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës! Në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë”, ka shkruar Klinaku i cili sot me mijëra qytetarë e veteranë protestuan para Kuvendit, ku edhe po mbahej seanca e cila u ndërprit nga opozita, që kërkonin përfshirjen e veteranëve në Ligjin për pagën minimale.

Vazhdimi i kësaj seance të Kuvendit të Kosovës do të mbahet të hënën, pas rikthimit të Konjufcës nga Haga.

Ndryshe, sot Konjufca paralajmëroi opozitën që seancat tjera nuk do të mund të bllokohen.

“Po ju paralajmëroj se seancat nuk do të mund të bllokohen pafundësisht apo për shkak të betejave tona politike që i kemi”, tha Konjufca.