Nga ish-refugjat, polic në Kanada/ Historia e shqiptarit, ja si e fitoi vendin e punës

Është një ndjenjë e veçantë kur takon shqiptarë të brezave të ndryshëm duke shërbyer me nder nëpër vendet ku janë mirëpritur. Në një ditë pune të zakonshme, këtë javë u takova me Besnik Imerin, një polic me prejardhje nga Kosova në Hamilton, Ontario, ku jeton së bashku me familjen e tij.

“Në muajin korrik të vitit 1999, unë me familjen time, arritëm në Kanada si refugjatë dhe u vendosëm në qytetin e Hamiltonit. Aty e përfundova shkollën fillore dhe të mesme, pastaj vazhdova mësimet në Mohaеëk College në Hamilton për Drejtësi dhe Administratë Sigurimi.

Gjatë studimeve u angazhova si vullnetar në Shërbimin Policor të Hamiltonit (Hamilton Police Service), ku dhe kontribuova 7 vite me radhë. Të njejtën kohë që po bëja punë vullnetare, unë mbajta disa vende punësh të zakonshme si: në sigurim, kamarier, dhe shërbyes ushqimi në salla të dasmave”.

Ëndrrën për t’u bërë polic Besniku e kishte pasur kur kishte nisur shkollën e mesme, si dëshirë të thjeshtë t’u shërbente qytetarëve duke u përkujdesur për sigurinë e tyre. Siç e thotë vetë ai, kjo periudhë ishte e vështirë në përpjekjen për të fituar mbështetjen e familjes, pasi që koncepti i “policisë” shihej nga një kënd i ndryshëm prej familjes, duke u gjykuar nga traumat që kishin përjetuar në dorën e policisë gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, “familja e pa dedikimin që unë i përkushtova karrierës sime, dhe me ca hezitim, edhe ata më dhanë mbështetjen e tyre të plotë. Gjatë kohës së studimeve, takova dhe bashkëshorten time, me të cilën tash kemi krijuar dhe familjen tonë me dy fëmijë të mrekullueshëm, të cilët lirishit them janë pjesa më e rëndësishme e jetës sime”.

Punën në Shërbimin Policor të Hamiltonit e ka filluar në maj të vitit 2014, pas disa aplikimeve të shumta në shërbime të ndryshme policore. “Ishte kënaqësi e papërshkruar kur më njoftuan për këtë pozitë, sepse edhe pse aplikova në vende të tjera, preferenca e parë ka qenë Hamiltoni për shkak se këtu jetoja dhe e kuptoja kulturën më mirë se të ndonjë qyteti apo vendi tjetër.

I falënderoj prindërit për një disiplinë të mrekullueshme, si dhe bashkëshortes dhe tërë familjes për përkrahjen që ma kanë përkushtuar atëherë kur unë kisha nevojë më së shumti. Pa përkrahjen e tyre të plotë, sot nuk do të isha këtu ku jam tani. Pasi mora ofertën nga qyteti i Hamiltonit për të punuar në Shërbimin Policor, unë fillova trajnimin themelor si polic ku kompletova 3 muaj në Kolegjin e Policisë së Ontarios.

Pas kësaj vazhdova edhe 3 muaj me një udhëzues nëpër qytet, pastaj fillova të punoj me orar të plotë. Po ashtu, kemi edhe detyra shtesë si trajnim vjetor, i cili është i mandatuar sipas ligjit. Përveç kësaj, unë kam marrë pjesë në trajnime të ndryshme si: intervenim në krizë, provë testimi për vozitës të dehur, skena të krimit, në ekipe kundër thyerje, reagim në krize, ku tuboj evidencë dhe bëj fotografi dhe analizoj evidencën”…

Megjithatë, COVID-19 ka ndikuar në shumë aspekte të punës sonë të përditshme, dhe disa gjëra kanë ndryshuar, mirëpo vlerat, misioni dhe vizioni i Shërbimit Policor të Hamiltonit s’ka ndryshuar në asnjë aspekt.

Kuptohet që disa masa jo të zakonshme janë përdorur kundër COVID19 si p.sh, rastet kur duhet të jemi të përgaitur me pajisje mbrojtëse personale, mirëpo puna është kryer si zakonisht dhe pa hezitime. Puna e përditshme e çdo shërbimi policor ndryshon vazhdimisht dhe ka situata që çdoherë ndryshojnë nga njëra-tjetra, mirëpo të gjithë punëtorët, si policët ashtu edhe shërbyesit civilë, iu kanë përshtatur ndryshimeve dhe kanë vazhduar punën e tyre të rregullt”.

I pyetur se si është një ditë e zakonshme pune për një polic në Kanada Besnik Imeri përgjigjet: “Unë punoj në patrullë, kështu që i kam ndërrimet e ndryshme gjatë ditës dhe natës. Pas fillimit të ndërrimit tim mbledh pajisjet e nevojshme dhe përgatis automjetin policor për tërë ndërrimin.

Pas kësaj, unë filloj të lexoj postën elektronike për të parë nëse ka ndonjë zonë specifike që kërkon vëmendje shtesë. Përmes ndërrimit, ne marrim pjesë në incidente të ndryshme duke përfshirë probleme në trafik, aksidente të automjeteve, çështje të mosmarrëveshjjeve në familje, duke përfshirë edhe incidente të ndryshme kiminale.

Rastet e vogla, korigjohen lehtësisht, ndërsa rastet e rënda me komplekse kërkojnë më shumë kohë dhe burime shtesë. Në këto raste, ne punojmë me degë të ndryshme të shërbimit policor për të zgjedhur. Kështu që, në çdo rast jemi të përgatitur të përgjigjemi në çdo rast”.

Përvec detyrës në polici Besniku disa herë i ka dalë në ndihmë edhe komunitetin shqiptar në Hamilton, duke shërbyer edhe në disa aktivitete jetike të Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit, e cila tubon rreth vetes shqiptarët e këtushëm, e të cilët kanë vetëm lëvdata për policin dhe aktivistin e tyre.

VINI RE ! - Lajmi qe eshte portuar eshte mare nga portalet tjere. Nese preke privatesine ky lajme ju lutem na informoni ne facebook ne e fshijme lajmin menjehere. Nuk mbajme persiper per lajmet e postuara. KosovaToday nuk eshte Agjensi per Lajme vetem riboton lajmet nga portalet tjere. Me respekt KosovaToday.
Reklamat e meposhtme jane te kompanise MGID nese blini dicka nuk garanton KosovaToday - Jan Reklama te Kompanise MGID.

Lajme te ngjajshme !

Lajme te ngjajshme !