Një “luftë” me shishe rakie: si po e zgjidhin Danimarka dhe Kanadaja

Autoritetet në Danimarkë dhe Kanada kanë arritur një marrëveshje në parim për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje gati gjysmëshekullore mbi ishullin e pabanuar të Arktikut Hans.

Gazeta britanike Herald raporton se Danimarka dhe Kanadaja kanë arritur një marrëveshje për ndarjen e atij ishulli djerrë, i cili nuk ka rezerva minerale.

Kufiri do të tërhiqet mbi ishullin Hans prej 2.6 kilometrash katrorë, një ishull në një rrugë ujore midis bregut veriperëndimor të territorit gjysmë autonom danez të Grenlandës dhe ishullit kanadez Ellesmere.

“Kjo dërgon një sinjal të qartë se është e mundur të zgjidhen mosmarrëveshjet kufitare…në një mënyrë pragmatike dhe paqësore, ku të gjitha palët bëhen fituese,” tha ministri i jashtëm danez Jeppe Kofod.

Kanadaja dhe Danimarka ranë dakord në vitin 1973 për të krijuar një kufi përtej ngushticës Nares, në gjysmë të rrugës midis Grenlandës dhe Kanadasë, por nuk mund të bien dakord se cili shtet do të kishte sovranitet mbi ishullin Hans, gati 1100 kilometra në jug të Polit të Veriut.

Ministri danez i Grenlandës ngriti flamurin danez në ishull në vitin 1984, nguli një shishe raki daneze dhe la një mesazh ku shkruhej: “Mirë se erdhe në ishullin danez”.

Kanadezët më pas ngritën flamurin e tyre dhe lanë një shishe raki kanadeze. Që atëherë, të dy vendet kanë alternuar ngritjen e flamujve dhe lënien e shisheve me pije të ndryshme alkoolike në ishull, i cili së shpejti do të ndahet zyrtarisht. Do të jetë kufiri i parë tokësor mes dy vendeve.