Opozita kritika Qeverisë: Shteti me lëmoshë nuk funksionon

Reciprociteti për targat, Kurti mbledh sot Këshillin e Sigurisë

Opozita kritika Qeverisë.

Partitë opozitare në Kuvend kanë adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për shpërndarjen e mjeteve nga Pako e rimëkëmbjes ekonomike.

AAK e PDK thonë se shteti nuk mund të funksionojë me “lëmoshë” por që kërkohet vizion të qartë për zhvillim ekonomik dhe rritje të punësimit.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, thotë për Ekonomia Online se Qeveria Kurti ka zgjedhur rrugën e gabuar, duke i bllokuar investimet kapitale.

Ai thotë se ekzekutivi është fokusuar në skema sociale, që sipas tij janë të dëmshme për zhvillimin e një shteti.

“Sa i përket Qeverisë së Kosovës, mendoj që e ka një vizion të gabuar sepse dëshiron që të përfitojë tek shtresa e varfër dhe të tërhiqet nga investimet kapitale që i ka bllokuar tërësisht dhe sipas raportit që e kemi ku 1/10 e investimeve kapitale është shpenzueshmeria, që do të thotë është gjendje katastrofale shpërndarja e parasë publike. Kjo Qeveri mendoj që është fokusuar tek skemat sociale që nuk janë zhvillimore dhe e dëmtojnë zhvillimin e një shteti. Ajo që mund të shifni është se janë ndarë edhe 100 milionë euro sa i përket subvencionimit të energjisë elektrike mirëpo që gjashtë muaj nuk ka lëvizur asgjë, nuk janë alokuar mjetet tek KESCO dhe KEDS, dhe në këtë drejtim mendoj që ato para po rrinë nuk kemi ndonjë zhvillim apo është një mashtrim për qytetarët sepse këta janë zotuar do të subvencionojnë qytetarët që kanë shpenzuar energjinë elektrike”, tha Lekaj.

Deputeti i AAK-së thotë se shpërndarja e tillë e mjeteve për qytetarët ndodh vetëm në vendet e varfra kur mungon programi zhvillimor.

“Në anën tjetër po iu rendohet jeta qytetarëve me ngritje enorme të çmimeve bazike, e sidomos të atyre të derivateve mendoj se jemi para një kolapsi ekonomik, energjetik dhe kjo Qeveri është duke menduar që vetëm kur e sheh krizën të veprojë, që është dështim total. Mendoj që vetëm në shtetet e varfra kjo mund të ndodhë, dhe kur nuk ka programe zhvillimore, investime kapitale atëherë mendoj që është vetëm sa për ta mirëmbajtur gjendjen aktuale e jo për të menduar të zhvillohet shteti”, tha Lekaj.

Njëjtë mendon edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

Ai thotë se shteti me lëmoshë nuk funksionon por që kërkohet projekte të zhvillimit ekonomik.

“Shteti me lëmosha nuk mund të funksionojë është mese evidente dhe besoj që përgjigja më të mirë për këtë ua japin ekspertët e ekonomisë por çka kemi parë për më shumë se një vit e gjysmë të Qeverisë Kurti, asnjë projekt zhvillimor për Republikën e Kosovës, asnjë projekt që do ta nxiste punësimin e të rinjve, asnjë projekt që do të hapte vende të reja të punës dhe Qeveria ndan lëmosha për qytetarët me nga 100 euro të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt në përmirësimin e gjendjes së rënduar ekonomike por edhe sociale në Kosovë. Shumica e buxhetit po orientohet nga skemat sociale por jo nga zhvillimi ekonomik e punësimi të rinjve”, tha ai.