Vjosa Osmani, vazhdon të jetë shumë e angazhuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitat e saj në Amerikën Jugore, lajmëroi se ka takuar edhe presidentin e deritanishëm të Kosta Rikës, Carlos Alvarado Quesada.
Osmani tha se presidentin kostarikan e ka falënderuar për mbështetjen e palëkundur të pavarësisë e Kosovës.
Mes tjerash, Presidentja e Kosovës e falënderoi edhe për përkushtimin për të forcuar lidhjet e ndërsjella të Kosovës me Amerikën latine e më gjerë.
Gjithashtu gjatë ditës Osmani është takuar edhe me presidentin e ri të zgjedhur të Kosta Rikës.
“Kisha nderin e veçantë që si përfaqësuesja e parë e popullit të Kosovës që viziton Kosta Rikën, të takoj Presidentin e ri të vendit, z.Rodrigo Chaves”, lajmëroi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një shkrim në Facebook.
Me presidentit kostarikan, Osmani tha se “u pajtuam që marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale t’i çojmë në lartësi të reja”.
“Përfshirë thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe rritjen e interaksionit ekonomik e tregtar”, tha ajo.
Osmani tha se Kosova është mirënjohëse ndaj Kosta Rikës për njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
“Presidentit Chaves i përcolla urimet më të mira në marrjen e përgjegjësive së detyrës së tij të re, udhëheqjes së popullit të Kosta Rikës drejt një të ardhmeje të begatë e të sigurt”, tha mes tjerash presidentja.