Përkundër kërcënimeve nga Rusia, Finlanda drejt anëtarësimit në NATO

Finlanda po synon të jetë pjesë e NATO-s.

Udhëheqësit e Finlandës kanë mbështetur aplikimin për t’u bërë pjesë e NATO-s ndërkohë që edhe Suedia mund të bëjë të njëjtën gjë brenda disa ditësh, dy muaj e gjysmë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, veprim ky që përçoi mesazhe frike tek fqinjët e Moskës.

Pas qëndrimit të Finlandës, Kremlini reagoi duke paralajmëruar se do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrëse “ushtarako-teknike”.

Ndërkohë, në terren, forcat ruse goditën zonat në lindje të Ukrainës, duke përfshirë pjesën e fundit të rezistencës në Mariupol, si pjesë e ofensivës për të marrë rajonin jetik industrial të Donbasit, derisa Ukraina rimori disa qytete dhe fshatra në verilindje të vendit.

Presidenti dhe kryeministri i Finlandës njoftuan se shteti i tyre duhet të aplikojë menjëherë për anëtarësim në NATO, paktin e mbrojtjes ushtarake i themeluar pjesërisht për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik.

“Ju (Rusia) e shkaktuat këtë. Shikoni në pasqyrë”, tha këtë javë presidenti finlandez, Sauli Niinisto.

Parlamenti i Finlandës duhet të vendosë për këtë çështje por njoftimi për gatishmërinë për aplikim do të thotë se Finlanda është e sigurt se do të aplikojë – dhe do të pranohet – megjithëse procesi mund të marrë muaj për të përfunduar. Suedia, gjithashtu, po shqyrton aplikimin.

Kjo do të përfaqësonte një ndryshim të madh në peizazhin e sigurisë së Evropës: Suedia i ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vjet, ndërsa Finlanda miratoi neutralitetin pas disfatës së saj nga sovjetikët në Luftën e Dytë Botërore.

Opinioni publik në të dy vendet u zhvendos në mënyrë dramatike në favor të anëtarësimit në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës, gjë që ngjalli frikën tek vendet fqinje të Rusisë se ato mund të ishin në radhë për tu pushtuar.

Para pak ditësh, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca do të mirëpresë Finlandën dhe Suedinë me krahë hapur.

Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi se Moska “do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës të karakteristikave ushtarako-teknike dhe të tjera, në mënyrë që të kundërshtojë kërcënimet e reja ndaj sigurisë së saj kombëtare”.

Dhurimi i armëve dhe mbështetja tjetër ushtarake nga NATO-ja për Ukrainën tashmë ka qenë vendimtare për suksesin befasues të Kievit në frenimin e pushtimit dhe Kremlini paralajmëroi sërish më 12 maj se ndihma ushtarake për Ukrainën mund të çojë në konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.

“Gjithmonë ekziston rreziku që një konflikt i tillë të kthehet në një luftë bërthamore në shkallë të plotë, një skenar që do të jetë katastrofik për të gjithë”, tha Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.