Pjesëtarët e njësisë speciale dhe veteranët ballë për ballë te hyrja e Kuvendit, nisin brohoritjet “UÇK, “UÇK”

Pavarësisht protestës, nis seanca e Kuvendit të Kosovës i pranishëm edhe Kurti

Policia është mobilizuar ndërsa veteranët e UÇK-së janë mbledhur dhe shpejt kanë arritur të futen deri te dera e Kuvendit për të protestuar. Ata thirrën “UÇK”, ndërsa është paraparë të kalojnë edhe kah Qeveria.

Veteranët janë të indinjuar që deputetët të martën miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata, raporton Gazeta Express.

Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku tha se pushteti i diskriminioi veteranët kur e miratoi të martën projektligjin që përcakton pagën minimale “së bashku me pakicat që gëzojnë të drejta si askush në botë”.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti nuk i dëgjoi, edhe pse tha se “kemi paralajmëruar se do ta kundërshtojmë këtë”.

“Ai mendon se duke mos bashkëpunuar me ne, si me sindikatat dhe duke mos na mbështetur e përkrahur, do të na shtrijë për toke”, tha Klinaku.

Një kordon i policisë u pozicionua herët para Kuvendit dhe Qeverisë, ndërsa në hyrje policët e njësisë speciale janë bërë grumbull për të mos i lënë veteranët të futen brenda.

Para një jave, një seancë e Kuvendit dështoi të mbahej normalisht, pasi veteranët kishin hyrë në oborrin e institucionit më tëu lartë ligjvënës të vendit dhe kërcënonin të futeshin brenda.

Pika e parë e asaj seance ishte e papranueshme për ta. Veteranët u ndjenë të indinjuar që Qeveria i la jashtë projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale. Mazhoranca i kishte numrat e nevojshëm për ta miratuar këtë projektligj, por nuk pati kuorum për miratim.

Një kordon i policisë u pozicionua shpejt para Kuvendit, ndërsa në hyrje policët u bënë grumbull për të mos i lënë veteranët të futen brenda.

Objekti i Qeverisë së Kosovës u rrethua po ashtu nga forcat e Policisë, pasi protesta eksaloi në anën tjetër.

Autoblindat e Policisë u panë nëpër rrugët e Prishtinës, teksa shkonin te Kuvendi, ku veteranët tashmë ishin futur në oborr.

Por ky projektligj që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht, u miratua në lexim të parë të martën.

PRO këtij projektligji votuan 68 deputetë. Në votim morën pjesë edhe deputetët e Listës Serbe – gjë që ngjalli shumë reagime nga veteranët – ndërsa gjashtë të tjerë abstenuan.

Në këtë seancë nuk mori pjesë PDK-ja, ndërsa LDK-ja qëndroi në sallë por nuk votoi.