Premtimi i madh i Kurtit vlerësohet si i pamundur: “60% e popullatës e vaksinuar deri në fundvit”


“60% e popullatës e vaksinuar deri në fundvit” – Premtimi i madh i Kurtit vlerësohet si i pamundur.

Menaxhimi i pandemisë COVID-19 është renditur si prioriteti i parë në planin qeverisë për vitin 2021-2025, e me qëllim të futjes nën kontroll të koronavirusit Qeveria e Kosovës po synon që deri në fund të këtij viti të imunizojë 60 për qind e popullatës.

Por ky zotim i Qeverisë Kurti po konsiderohet i pamundur meqenëse Kosova deri tani ka pranuar vetëm donacione të dozave të vaksinave në COVAX dhe BE. Por ekziston një shpresë se nëse lidhet ndonjë marrëveshje për blerje të vaksinave anti-COVID ky 60 për qindësh edhe mund të realizohet.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu thotë se meqenëse Kosova ende nuk ka kontratë për blerje të vaksinave, vetëm duke u bazuar në donacione nuk mund të vaksinoj 60 për qind të qytetarëve deri në fundvit.

Deputeti i PDK-së thotë se deri më tani në Kosovë janë vaksinuar vetëm 1.8 % e qytetarëve.

“Premtime të donatorëve dhe të COVAX nuk e përmbushin këtë 60 për qind që e ka synuar qeveria deri në fund të vitit, sepse për të përmbushur 60 për qind të vaksinimit deri në fund të vitit me të dyja dozat nevojiten së paku 1 milionë e gjysmë vaksina dhe kjo deri më tani është e parealizueshme në bazë të kësaj se kontratë nuk ka për furnizim dhe me këto donacione nuk mund ta përmbushim këtë. Aktualisht nëse krahasohet këto 28 mijë vaksina që janë dhënë deri më tani dhe me atë 1 milion e gjysmë që ka nevojë deri më tani është 1.8 për qind e realizimit të këtij planit që është shumë pak….Ne jemi shumë vonë jemi më së keqi dhe më mbrapa se gjithë rajoni kjo neglizhencë dhe vetëm premtime dhe fjalë qytetari dhe të sëmurët nuk po i dëshirojnë, ata po dëshirojnë me pas vaksina si mjet parandalues që të kthehemi në normalitet me këtë numër dhe me këtë mënyrë 2021 do jetë prapë vit pandemik ”, tha ai.

Edhe gazetari për shëndetësi, Bujar Vitia shprehet pesimist në planin e qeverisë që synim ka vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve të Kosovës deri në fund të vitit.

Sipas tij për më shumë se gjashtë muaj të mbetur nuk mund të imunizohet përqindja e paraparë.

“Me këtë trend të ardhjes së kontingjenteve të vaksinave nuk besoj që do arrihet 60 për qind siç̧ ka premtuar qeveria e Kosovës do të jetë shumë problematike për shkak se është vonuar arritja e marrëveshjes rrjedhimisht janë vonuar edhe porositë për të ardhur në Kosovës kështu që kompanitë e vaksinave nuk e presin Kosovën, ne jemi afër pothuajse gjysmës së vitit dhe për gjashtë muaj të vaksinojmë 60 për qind të popullsisë do jetë konsideroj të jetë e pamundur“, u shpreh ai.

Por përqindje të arritshme të vaksinimit e sheh specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli e cila shpreson që shpejt Kosova do të nisë blerjen e vaksinave anti-COVID.

Madje ajo thotë se Kosovën do ta ndihmojnë shtetet mike edhe me donacione për të imunizuar popullatën karshi COVID-19, prandaj thekson se 60 për qindshi është i arritshëm deri në fund të vitit.

“Ky ka qenë premtimi gjatë fushatës zgjedhore që e kanë si prioritet 60% të vaksinimit a është e mundur në teori por gjithsesi, kam dëgjuar nga ministri i kaluar se Kosova mund të vaksinoj rreth 20 mijë persona në ditë dhe kjo nuk është e vërtetë me 3 mijë deri 5 mijë persona në ditë duke u vaksinuar në mënyrë kontinuele besoj që do arrijmë 60 % nuk ka kontrata për momentin, por unë kam dëgjuar ministrinë që nuk mund të diskutoj për këto kontrata deri te vijnë, por në parim po mund të ndodh për faktin se si SHBA-të si BE-ja janë duke e vaksinuar popullatën e tyre më masive dhe ato vaksina që i kanë blerë për popullatën e tyre i kanë liruar dhe kanë mbetje apo rezerva dhe besoj që do t’i japin për shtetet fqinje apo shtetet tjera. Kështu që unë jam optimiste që mund t’i vaksinojnë”, tha ajo.

Kosova renditet e fundit në listën për vaksinimin e qytetarëve karshi vendeve të rajonit. Procesi i vaksinimit në Kosovë filloi në fund të marsit me 24 mijë dozat që u dhuruan donacion nga COVAX-i i OBSH-së. Ndërsa, Kosova ka pranuar edhe donacione nga Bashkimi Evropian i cili ka ndarë një kontingjent prej 95 mijë vaksinave për qytetarët e Kosovës.

Aktualisht në Kosovës krahas profesionistëve shëndetësorë e personave me sëmundje kronike gjatë kësaj jave ka nisur edhe imunizimi i personave mbi moshën 65 vjeç̧.


Na lexoni...

Edhe informacione tjera

Mundesia me shume...
Pamje me shume...