Qeveria Kurti propozon ditë përkujtimi për Sbrebrenicën: Si ia vodhi pushteti idenë Enver Hoxhajt?

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, sot mban mbledhjen e radhës. Në mbledhjen që nis në ora 14:00, kabineti qeveritar do të shqyrtojë propozimin për shpalljen e datës 11 korrik si “ditë përkujtimi për gjenocidin e Srebrenicës”. Në fakt, një gjë të tillë e kishte propozuar kohë më parë Enver Hoxhaj, nënkryetar […]

Qeveria Kurti propozon ditë përkujtimi për Sbrebrenicën: Si ia vodhi pushteti idenë Enver Hoxhajt?

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, sot mban mbledhjen e radhës. Në mbledhjen që nis në ora 14:00, kabineti qeveritar do të shqyrtojë propozimin për shpalljen e datës 11 korrik si “ditë përkujtimi për gjenocidin e Srebrenicës”. Në fakt, një gjë të tillë e kishte propozuar kohë më parë Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së. A ia vodhi këtë ide Qeveria Hoxhajt?

Më 22 prill të këtij viti, Hoxhaj, dikur ishte kryediplomat i Kosovës, shkroi një status, ku propozoi që Kuvendi i Kosovës të mbështesë rezolutën e aprovuar në Asamblenë e Përgjitshme të OKB-së në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës. Madje, Hoxhaj kishte dhënë edhe një arsyetim interesant për këtë çështje.

“Duke mos qenë anëtare e OKB-së ku do të ishim përkrahës të natyrshëm të kësaj rezolute, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon” – kishte shkruar ai.

Për çështjen e përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, Hoxhaj kishte përgatitur edhe një mocion përmbajtësor për rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Në rezolutën e siguruara nga Nacionale, Hoxhaj kishte theksuar arsyet se pse duhet përkrahur Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara për ditën përkujtimore të reflektimit dhe përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

“Duke përsëritur angazhimin për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e unitetit në diversitet në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Konsiderojmë se edhe Kuvendi i Republikë së Kosovës, duhet të ndërmarrë veprime konkrete për mbështetjen e Rezolutës për caktimin e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë” – shkruhej në mocionin përmbajtësor të përgatitur nga Hoxhaj.

Në këtë kontekst, Hoxhaj kishte shkuar edhe një hap më tutje, duke përgatitur edhe një deklaratë, që do të propozohej për miratim në Kuvendin e Kosovës. Në këtë deklaratë theksohej se Kuvendi e vlerëson lartë miratimin e rezolutës nga ana e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës:

1. VLERËSON lartë miratimin e Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995, si dhe qëndrimet dhe argumentimet e shprehura përmes saj.

2. MBËSHTET fuqishëm vlerësimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është i individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi etnik, fetar apo tjetër ose komunitetit në tërësi.

3. VLERËSON caktimin e datës 11 Korrik si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, që do të mbahet çdo vit.

4. SOLIDARIZOHET me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, si dhe Kujtimi i Srebrenicës të shërbejë si një kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.

5. RESPEKTON Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë, 11 Korrikun, dhe në respekt të kesaj dite Republika e Kosovës, do të organizon ngjarje të veçanta dhe aktivitete në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe aktivitete të përshtatshme edukimi dhe ndërgjegjësimi publik” – thuhej në deklaratën e hartuar nga Hoxhaj./Nacionale/