Qeveria njofton se nisin negociatat me MCC-në për projektin energjetik 200 milionë dollarësh

Stavileci i PDK-së: Qeveria Kurti e ka sjell vendin në një situatë të pashpresë

Qeveria: Nisin negociatat me MCC-në për projektin energjetik 200 milionë dollarësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje në vizitë në Amerikë është takuar me Kryeshefen e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Në një komunikatë të kryeministrisë thuhet se ky takim shënon fillimin e negociatave me MCC-në për një projekt Kompakt energjetik që kap vlerën mbi 200 milionë dollarë dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

“Albright falënderoi kryeministrin Kurti për punën dhe angazhimin për këtë projekt. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të ShBA-së për Republikën e Kosovës përmes MCC-së për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, bashkë me kryeministrin Kurti ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ambasadori i Kosovës në Washington, Ilir Dugolli dhe Koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit Kompakt me MCC, Lum Mita.

Ndërsa nga përfaqësuesit e MCC-së, pjesë e takimit ishin Jonathan Brooks, zëvendëspresidenti për programet në Evropë, Azi, Paqësor e Amerikë Latine, Thomas Kelly, zëvendëspresident për politika dhe vlerësim, si dhe Paula Garcia Tufro, shefe e stafit të kryeshefes Albright.