Rusia e quan shkatërruese shtimin e trupave amerikane në Evropë

Rusia ka dënuar vendimin e SHBA-së për të dërguar trupa shtesë në Evropë për të përkrahur aleatët, për shkak të frikës të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, njofton BBC.

Moska ka thënë se ishte hap “shkatërrues” që ka rritur tensionet dhe ka reduktuar mundësitë për një zgjidhje politike.

Pentagoni ka thënë se 2000 trupa amerikane do të dërgohen nga Karolina e Veriut për në Poloni e Gjermani, dhe 1000 trupa tjerë që janë në Gjermani do të dërgohen në Rumani.

Rusia ka dërguar afro 100 mijë trupa në afërsi të Ukrainës. Por, ka insistuar se nuk planifikon ta pushtojë Ukrainën.

Tensionet vijnë tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin Krime në jug të Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në lindje të rajonit Donbas.

Moska akuzon Qeverinë e Ukrainës se ka dështuar ta implementojë marrëveshjen e Minskut, një marrëveshje ndërkombëtare për ta rikthyer paqen në Lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë territor të konsiderueshëm dhe së paku 14 mijë persona janë vrarë që nga viti 2014.

SHBA-ja dhe NATO vënë në pyetje mbledhjen e trupave ruse afër Ukrainës.

Të enjten, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ka parë lëvizje të madhe të afroi 30 mijë trupave ruse në Bjellorusi në ditët e fundit.

Rusia thotë se trupat janë për një stërvitje të përbashkët.

Duke reaguar ndaj vendimit të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të vendosur trupa shtesë në Evropë këtë javë, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Alexander Grushko, ka thënë se është hap “shkatërrues” dhe i “pajustifikueshëm”.

Grushko ka thënë se kjo lumturon autoritetet ukrainase, që po sabotojnë sipas tij marrëveshjen e Minskut.

Pentagoni më herët ka thënë se trupat amerikane do të vendosen në Evropë, por nuk do të luftojnë në Ukrainë, por do të përkujdesen për mbrojtjen e aleatëve të Washingtonit.