Sallahu: Ka investime për ta kundërshtuar Projkeligjin për konfisikimin e pasurisë, s’duan të japin llogari

Sytë kah Serbia për kthimin e borxhit të rrymës

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu thotë se rekomandimet e Komisionit të Venecias i konsiderojnë të rëndësishme dhe se ato do të ndihmojnë sofistikimin e Projektligjit. Këtë Sallahu e tha pas një reagimi siç ka shkruar ai “me shkas ndaj raportimeve për opinionin e Venecias”.

Sipas tij, çdo tendencë për ta njollosur raportin e Venecias është tendencioze dhe e pasaktë.

“Opinioni i Komisionit të Venecias (si trupë ekspertësh të shquar e me përvojë të gjatë), është shumë i qartë. Aq i qartë sa nuk ka dykuptimësi, sa të ketë interpretime kontradiktore e të pakuptimta. Sidomos tendencioze! Në atë Opinion ku ndër të tjera pranohet koncepti i konfiskimit të natyrës së pastër civile, tekstualisht theksohet rëndësia se krijimi i Byrosë është i vlefshëm për luftimin e krimit dhe korrupsionit; pamundësimin e shfrytëzimit të fondeve të fituara paligjshëm dhe ata vlerësojnë se një masë e tillë ndikon që të sigurohet një bazë që ndihmon zhvillimin ekonomik në vendin tonë. Qëllimi i dërgimit të Projektligjit në Komisionin e Venecias ka qenë përsosja e tij. Dhe rekomandimet e këtij Komisioni kurrsesi nuk mund të interpretohen si sulme ndaj Projektligjit ose si “rrëzim i tij”, siç po tentohet të proklamohet nga qarqe të ndryshme”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Tutje ai shkruan se “Rekomandimet e Komisionit të Venecias i konsiderojmë të rëndësishme dhe ato do të ndihmojnë sofistikimin e Projektligjit. Ato do t’i adresojmë me kujdes dhe do t’i trajtojmë veç e veç. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ky Projektligj është dërguar për shqyrtim në Venecia. Prandaj, çdo tendencë tjetër për ta njollosur këtë Raport është tendencioze dhe e pasaktë, përpos nëse nuk e kuptojnë mënyrën e funksionimit të Komisionit të Venecias dhe arsyen e ekzistencës së tij”.

Mes tjerash ai ka shkruar se ka investime për ta kundërshtuar këtë projekligj, pasi që ata që kanë krijuar pasuri përmes veprave të paligjshme nuk duan të japin llogari.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka investime të mëdha për ta kundërshtuar këtë Projektligj e që duan ta cënojnë e minojnë punën e Byrosë pasi ajo të themelohet. Sepse ata që kanë krijuar pasuri përmes veprave të paligjshme nuk duan të japin llogari e të jenë subjekt i Byrosë dhe i gjykatave. Mirëpo, drejtësia ka qenë premtim kryesor i yni dhe për këtë jemi votuar masivisht. Tashmë jemi në rrugë të mbarë drejt realizimit të këtij synimi dhe do të ishte mirë të mos dezinformohet opinioni i gjerë me lajme qëllimkëqija, që u shkojnë për shtati vetëm atyre që kanë përvetësuar paligjshëm dhe tash duan ta mbajnë pasurinë e tyre për vete. Mirëpo Byroja dhe gjykatat, do t’ua kthejnë shtetit e qytetarëve”, ka përfunduar shkrimin Sallahu.

Sytë kah Serbia për kthimin e borxhit të rrymës