SBAShK-u paralajmëron grevë tjetër të përgjithshme

Kryeparlamentari Konjufca pret në takim delegacionin arab

SBAShK-u ia rikujton Nagavcit grevën njëorëshe, paralajmëron një tjetër të përgjithshme.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ia ka rikujtuar Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit se do të ketë grevë njëorëshe me 12 maj.

Kjo sindikatë ka paralajmëruar gjithashtu edhe veprime të tjera siç i ka quajtur radikale, si dhe nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një greve të përgjithshme në tërë sektorin e arsimit.

“Duke respektuar Ligjin për Grevat, SBASHK me kohë i ka dërguar shkresë zyrtare Ministres Arbërie Nagavci duke e njoftuar për grevën paralajmëruese njëorëshe të 12 majit, por edhe për veprimet tjera shumë më radikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit nëse Qeveria vazhdon të hesht ndaj kërkesave legjitime të SBASHK-ut”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

Sindikata gjithashtu i ka ripërsëritur kërkesat e anëtarësisë që Qeveria të vazhdojë me shtesën në pagë prej 100 euro për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave.

Por, po kësaj ata kanë edhe disa kërkesa të tjera.

“Të fillojë zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, Plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, Ligji nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te neni 8, paragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999 dhe formimi i komisionit, i cili do të ulet ne tavolinën e negocimit me SBASHK-un që të gjej zgjidhje për kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës”.

“SBASHK duke insistuar që çështjet të zgjidhen me dialog edhe në këtë informatë dërguar MASHTI-t e fton Ministren Nagavci për angazhim dhe takime me përfaqësuesit e SBASHK-ut për të debatuar shtruar për gjithë këto çështje, për ta informuar edhe për protestën e 20 majit e për t’u angazhuar bashkërisht në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për çështjet e ngritura”, thuhet në njoftim.

Tutje, SBAShK ka paralajmëruar edhe një protestë më 20 maj, për të cilën ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive.

“SBASHK apelon te të gjithë anëtarësia që të bëjnë përgatitjet e duhura për pjesëmarrje masive në protestën e 20 majit bashkë me sindikalistët nga sindikatat tjera anëtare të BSPK-së duke uruar që Qeveria të ofroj zgjidhje të pranueshme për kërkesat tona legjitime e për të mos pasur nevojë që të fillohet me grevën e përgjithshme në tërë sektorin arsimor”, thuhet tutje në njoftim.