Sekretari i NATO-s bisedon me Kurtin: Të gjitha palët të ruajnë qetësinë

Presidentja Osmani në BBC pas ngjarjeve në Veri: Jetojmë pranë një fqinji që e kontrollon Rusia

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Përmes një publikimi në Twitter, Stolteneberg tha se të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg.

Presidentja Osmani në BBC pas ngjarjeve në Veri: Jetojmë pranë një fqinji që e kontrollon Rusia

Ndryshe serbë të shumtë lokalë ishin mbledhur të dielën në Jarinje dhe Bërnajk, ku vendosën barrikada të shumta për të kundërshtuar vendimin e Kosovës për reciprociteti.

Përpos kësaj, në qendër të Mitrovicës për disa orë radhazi janë dëgjuar alarmet, të cilat nënkuptojnë “grumbullimin e serbëve”.

Kësisoj në afërsi të urës së Ibrit u shtuan njësitë e shumta policore, teksa aty të pranishëm ishin edhe nga KFOR-i, të cilët deklaruan se po monitoronin nga afër situatën.

Për disa orës radhazi në veri pati tensione të vazhdueshme, ku nuk munguan edhe të shtënat me armë zjarri ndaj policëve të Kosovës si dhe maltretimi i disa shqiptarëve nga ana e serbëve të maskuar.

Kësisoj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kërkua që Qeveria e Kosovës të tërheq vendimin për reciprocitet për 30 ditë.

Qeveria e Kosovës më pas vendosi që të tërheq vendimin në momentin kur largohen barrikadat. Gjatë ditës së djeshme barrikadat janë larguar, ndërsa Qeveria pritet të marr vendim të ri në kuadër të kësaj çështje më 1 shtator.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, deklaroi vendimet e mara nga Qeveria e Kosovës ishin në koordinim me ndërkombëtarët.

“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, tha Hovenier.