Shtetet e QKUUNT-it kërkojnë mbajtjen e referendumit serb, liderët kosovarë nuk heqin dorë nga vendimi

Shqipëria goditet nga një tërmet i fortë, dridhjet dëgjohen edhe në Kosovë

Edhe ndërkombëtarët kanë reaguar për ngjarjet e fundit.

Referendumi serb në territorin e Kosovës ka ngjallur reagime të shumta. Pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos lejojë një gjë të tillë, shtetet e QUINT-it kanë reaguar.

Ato i kanë bërë thirrje Qeverisë që të lejojnë serbët në Kosovë të votojnë.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, është thënë në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Lidhur me këtë çështje, ambasadorët e QUINT-it kanë zhvilluar sot takim me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ky takim erdhi pas një komunikate të përbashkët të QUINT-it në të cilën kanë kërkuar që Kosova të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët nuk pranuan të tregojnë nëse e kanë bindur Kurtin lidhur me referendumin serb.

Pas takimit me ambasadorët e e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, institucionet e Kosovës kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se krerët e shtetit, presidentja-kryeparlamentari-kryeministri, shprehën qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar organizimin e referendumit të Serbisë, derisa kanë theksuar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thirrur për nesër seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.

Seanca e cila do të fillojë nga ora 14:00, do të ketë në rend dite vetëm një pikë, diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës.

Kësaj seance i janë përgjigjur pozitivisht AAK dhe LDK, por jo edhe PDK.

Në një përgjigje për Reporteri.net, deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në këtë seancë.

“Grupi i AAK do të marrë pjesë”, ka thënë Lekaj shkurt për Reporteri.net.

Teksa, në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka thënë për Reporteri.net se zyrtarisht ende nuk kanë marrë një ftesë të tillë.

Pavarësisht kësaj, ai ka shtuar se beson që ftesa do të mbërrijë shpejt. Deputeti Gashi theksoi se LDK do të marrë pjesë në këtë seancë.

“Hala nuk ka mbrri zyrtarisht ftesa, por besoj që do të mbrrij shumë shpejt edhe ne si grup parlamentar do të marrim pjesë në seancë”, tha ai për Reporteri.net.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka bërë të ditur se PDK nesër nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Kurti.

Tahiri shtoi se PDK-ja e sheh të panevojshme thirrjen e kësaj seance.

“PDK e sheh krejt të panevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, theksoi Tahiri në një konferencë për media.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Lajme me shume...