Sindikata e Bashkuar e Arsimit kritikon MASHTI-n se pagoi zyrtarët serbë pa shkuar në punë

Vaksionohen mbi 84 mijë persona me dozën e tretë në Kosovë

SBASHK-u kritikon MASHTI-n se pagoi zyrtarët serbë pa shkuar në punë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) ka reaguar pas publikimit të lajmit se 32 zyrtarë serbë pa shkuar fare në punë janë paguar nga buxheti i shtetit. Në një komunikatë për media SBAShK-u i drejtohet Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve tjera duke thënë se dikë po e paguajnë pa shkuar fare në punë ndërkohë që për kolegët me sëmundje të rënda të njëjtit nuk kanë buxhet.

Ky reagim i SBAShK-ut erdhi dy ditë pas raportimit të zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku ky i fundit tha se 32 zyrtarët serbë që nuk shkojnë në punë nuk do të marrin më paga nga institucionet e vendit.

“Është mirë që mediet e bënë publik faktin se në MASHTI janë 32 zyrtarë serbë që paguhen pa shkuar as edhe një ditë të vetme në vende të punës. Ky veprim i MASHTI-t, por edhe i Ministrive e institucioneve tjera, që besojmë se ka raste të tilla, meriton të kritikohet, jo pse ata zyrtarë janë serbë, po pse për individë, kushdo janë ata e që kurrë nuk i pa kush në vende të punës, ka mjete, kurse për kërkesën e përsëritur shumë herë nga SBASHK në takimet me MASHTI-n që të gjenin mjete dhe të zgjidhet në mënyrë të drejtë çështja e punëtorëve arsimorë me sëmundje të rënda, as që gjetën kohë të debatojnë pak më seriozisht as MASHTI e as Qeveria”, thuhet në komunikatë.

Sipas SBAShK-ut, nëse për dikë, gjenden mjete për paga pa shkuar as edhe një ditë në punë, atëherë është obligim moral e njerëzor që të gjendën mjete edhe për punëtorët arsimorë me sëmundje të rënda që ta gëzojnë mbështetjen e shtetit.

“Të marrin mbështetje të dinjitetshme materiale, të kenë kohë të merren me sëmundjen e tyre e të zëvendësohen me kuadro gjegjëse e që janë duke pritur me vite për një vend pune e gjithashtu të gjendën mjete edhe për punëtorët arsimorë që me muaj të tërë punojnë e nuk paguhen. Njëkohësisht që nga shtatori kemi bërë kërkesa e apele të ndryshme edhe SBAShK-u edhe DKA- Fushë Kosovë për 53 punëtorë arsimorë të cilët nuk marrin paga edhe pse punojnë që nga shtatori i vitit 2020 e disa edhe më herët, ku në mesin e tyre janë 5 punëtorë teknik të cilët e mirëmbajnë shkollën çdo ditë por nuk marrin paga. Situatë edhe më keqe është në komunën e Mitrovicës ku kemi mbi 100 punonjës arsimor që nuk marrin paga dhe nuk figurojnë fare në listën e pagave, prandaj edhe një herë kërkojmë nga MASHTI, gjegjësisht Qeveria e Kosovës që të bën një zgjedhje urgjente për këta të punësuar, të cilët çdo ditë e kryejnë punën e vet por ka pesë muaj që nuk marrin paga”, thuhet po aty.