Sinjali që vjen nga Vjena/ Dikur ndiqej politikisht, por sot shqiptari ka kompani telekomunikacioni

Të krijosh emër në botë nuk është aspak e lehtë, sidomos për ata shqiptarë që janë përballur me vështirësi të shumta në trojet e tyre. Megjithatë, nuk është e pamundur.

Një histori suksesi mund të konsiderohet jeta e Ajet Tahirit nga Novolani i komunës së Vushtrisë, Kosovë, i cili sot udhëheq kompaninë e telekomunikacionit ‘’AT Mobilfunk GmbH’’ në Innsbruck, Austri. Sipërmarrësi është gjithashtu kryetar i rrjetit të bizneseve shqiptare për Tirol, ku veprojnë konkretisht 30 kompani të fushave të ndryshme, të themeluara nga shqiptarët.

Ajeti u detyrua të largohej nga vendi rreth viteve ’90, kur Kosova po përballej me politikën shoviniste serbe. Asokohe ishte student në Fakultetin Teknik në Prishtinë, i cili vendosi të anëtarësohej në partinë e udhëhequr nga Ibrahim Rugova (LDK), ku edhe ushtroi aktivitetet e tij politike. Ajeti mori gjithashtu iniciativën për krijimin e Këshillit për Vetëmbrojtje, që ishte edhe këshilli nga i cili lindën celulat e para të UCK-së në Vushtri.

Ishte pikërisht kjo arsyeja se përse u largua nga vendi. Ai u përndoq politikisht nga regjimi serb. Ajeti emigroi fillimisht në Gjermani, me qëllim për të vazhduar studimet në Fakultetin Teknik të Mynihut. Por, ai u detyrua për shkak të pamundësive ekonomike të kryente studimet në një tjetër shkollë.

Në vitin 2008 Tahiri vendosi të hapë kompaninë e tij të telekomunikacionit ‘’AT Mobilfunk GmbH’’, duke patur ndërkohë 14 vite përvojë pune në këtë fushë. Sot, Tahiri ka klientë disa nga kompanitë më të mëdha telefonike, si: A1, T-Mobile në Austri, Telefonica, Vodafone dhe T-Mobile në Gjermani.

Sipas Tahirit, të konkurrosh me kompani më të mëdha austriake nuk është e lehtë. Ai pohon se “AT Mobilfunk GmbH” has vazhdimisht vështirësi në tregun austriak, por janë pikërisht ato që e bëjnë të jetë kompani e fuqishme.

“Në fillim kam pasur vështirësi për t`ua dëshmuar që edhe si student emigrant mundem dhe kam aftësi që të konkurroj në treg me firmat më të mëdha dhe më të njohura në lëmin e telekomunikacionit. Ndërsa sot kam vështirësi që të qëndroj në hap me zhvillimet më të reja. Sepse, siç dihet, telekomunikacioni ka zhvillim të shpejtë. Mirëpo me trajnime po arrijmë të jemi një nga firmat më të kërkuara në këtë drejtim”, thotë Tahiri duke shtuar se synon që kompania e tij të ketë në të ardhmen shtrirje në tërë Europën, por gjithashtu edhe bashkëpunim të suksesshëm mes firmave shqiptare.

VINI RE ! - Lajmi qe eshte portuar eshte mare nga portalet tjere. Nese preke privatesine ky lajme ju lutem na informoni ne facebook ne e fshijme lajmin menjehere. Nuk mbajme persiper per lajmet e postuara. KosovaToday nuk eshte Agjensi per Lajme vetem riboton lajmet nga portalet tjere. Me respekt KosovaToday.
Reklamat e meposhtme jane te kompanise MGID nese blini dicka nuk garanton KosovaToday - Jan Reklama te Kompanise MGID.

Lajme te ngjajshme !

Lajme te ngjajshme !