Sveçla thotë se Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serbë të Kosovës

Për rezolutën e miratuar në Kuvend raportojnë edhe mediat e huaja

Duket se Serbia ende ka ndikim për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se nuk do të lejojnë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla shtoi se Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, e që sipas tij, kjo duhet të marrë fund.

Ai tha se si ministër i Brendshëm do të kujdeset maksimalisht që të veprojnë në transparencë të plotë dhe në pajtim me standardet demokratike, duke ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë i Xhelal Sveçlës:

Të dashur qytetarë,

Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Pra, sovraniteti i vendit tonë dhe integriteti territorial i Republikës, është i pacënueshëm dhe i patjetërsueshëm.

Dua ti siguroj të gjithë qytetarët pa dallim, që ne nuk jemi kundër askujt dhe nuk mohojmë të drejtën e askujt për të zgjedhur. Por, ne nuk do të lejojmë që për qëllime politike të Serbisë, të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit.

Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serb të Kosovës, e kjo duhet të marrë fund. Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë, në Zyrën Ndërlidhëse apo duke shkuar për të votuar në vendvotimin e tyre në Republikën e Serbisë. E njëjta mënyrë tashmë është përcaktuar edhe nga shtetet tjera demokratike, ku qytetarët serb mund të votojnë në ambasada si në Austri, Belgjikë dhe Luksemburg, Itali, Norvegji, Rusi, Francë, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Njejtë votohet dhe në vendet fqinje si Maqedoni e Veriut e Mal të Zi.

Si Ministër i Punëve të Brendshme, ju siguroj se do të kujdesemi maksimalisht që të veprojmë me transparencë të plotë, në pajtim me standardet demokratike dhe Kushtetutën tonë, për të garantuar kështu mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetit territorial dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë.

Është për t’u përshëndetur qëndrimi i përbashkët i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët sot miratuan Rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të organizohet dhe të hapen vendet e votimit për referendum të Republikës së Serbisë si dhe obligon Qeverinë dhe institucionet të ndërmarrin veprimet brenda kompetencave, për të mos lejuar cënimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, pa cënuar në anën tjetër as të drejtën e qytetarëve me dy shtetësi që të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Me këtë rast dëshiroj të shprehë falënderimin dhe vlerësimin tim për Policinë e Kosovës, Doganën e Prokurorinë, për profesionalizimin dhe koordinimin e treguar mbrëmë, në ndalimin e futjes së materialit për referendumin që do të mbahet në Serbi.

Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë me profesionalizëm dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ata që kontribuojnë në të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve dhe vlerat demokratike të këtij vendi.

Lajme me shume...