Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerët kanë dalë sot para Gjykatës, pasi më 29 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Në deklarimin e tij Thaçi, i cili po e ndjek përmes videolidhjes, është deklaruar i pafajshëm, transmeton Zeri.info.
“Deklarohem i pafajshëm, megjithatë lëndën s’e kam lexuar dhe s’e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm. Amendamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj deklarohem i pafajshëm”, deklaroi Thaçi.
Sipas aktakuzave të reja, Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. /Zëri