Thaçi e Veseli deklarohen të pafajshëm për akuzat e reja

Kosova po kërkon transferimin e disa pjestarëve të “Grupit të Kumanovës”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u deklaruan të pafajshëm për disa aktuza të reja që janë paraqitur më 29 prill pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjatë seancës për paraqitje të mëtejme më 10 maj, Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat sepse kanë qenë shumë të redaktuara, por tha se deklarohet i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, vetëm dy kategoritë e para përmbajnë akuza të reja.

Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan.

“Kategoria e parë përbëhej nga dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, të burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”, tha ai.

“Kategoria e dytë kishte të bënte me dy incidente të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme të kryera në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit dhe modifikimin e kohës kur ka ndodhur kjo”.

Po ashtu, Prokuroria e Specializuar ka përfshirë në akuzën e re, dyshimin për përfshirje të drejtpërdrejt në krime të Thaçit.

“Dhe kategoria e tretë përbëhej nga dy incidente për pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera”, tha Guillou.

Ndërkaq, në një seancë të ndarë, Veseli po ashtu u deklarua i pafajshëm, duke kërkuar që të nisë sa më shpejt gjykimi.

“I kam lexuar [akuzat e reja], vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh pafajësinë time” para qytetarëve dhe gjykatës, tha Veseli.

Gjatë 10 majit, pritet që para Dhomave të Specializuara të paraqiten edhe Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët së bashku me Thaçin, kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u ngrit më 26 tetor të vitit 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020./rel