Vdes doktoresha kosovare

Ka vdekur Profesoresha dhe doktoresha e njohur Selvete Hoxha Krasniqi.

Kjo është bërë e ditur nga personeli i IKSHPK-së të cilët kanë vlerësuar punën e saj të palodhshme ndër vite.

Ja postimi i plotë:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Profesoreshës Selvete Hoxha Krasniqi.

Profesoresha Selvete ka qenë mësimdhënëse në Fakultetin e Mjekësisë për dekada të tëra.

Ajo ka kontribuar në ngritjen e brezave të tërë të profesionistëve të shëndetësisë në vendin tonë.

Për një kohë të gjatë deri në pensionim ajo ka qenë Zëvendës Drejtoreshë e IKSHPK.

Prof. Selvete Hoxha-Krasniqi ka lindur në Kaçanik më 25.02.1953. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prishtinë. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë në vitin 1978.

Ndoqi specializimin në Departamentin e Higjienës të Shkollës së Shëndetit Publik “Andrija Shtampar” në Zagreb të Kroacisë, dhe e kreu Specializimin nga Higjiena më 1985. Tezën e magjistraturës me titull: “Korelacioni mes kualitetit të ujit të pijshëm dhe sëmundjeve ngjitese të tubit tretës në Kosovë 1979-1988” e mbrojti më 1988, ndërsa tezën e disertacionit me titull: “Ekzaminimi i kualitetit të ujit të pijshëm në regjionin rural, ndikimi i tij në paraqitjen e sëmundjeve gastrointestinale 1988-1991” e mbrojti më 1995 në Universitetin e Prishtinës.

Që nga periudha pas diplomimit, më 1978, ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë, në Departamentin e Higjienës dhe poashtu mësimdhënëse e lëndës së Higjienës në Fakultetin e Mjekësisë, që nga viti 1982. Ka shërbyer si mentor i shumë temave të specializimit, magjistraturës dhe doktoratës në fushën e shëndetësisë publike.

Prof. Selvete Hoxha Krasniqi ka qenë Zëvendës Drejtoreshë e IKSHPK që nga viti 2001 e deri në pensionim në vitin 2018. Poashtu ka qenë Prorektore për Marrëdhënie me Jashtë e Universitetit të Prishtinës në periudhën 2006-2007.
Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare dhe ka publikuar një sërë punimesh profesionale-shkencore e tekstesh universitare, si autore dhe koautore.

Puna e saj e palodhshme dhe e përkushtuar, për dekada të tëra, në fushën e shëndetësisë publike, vecanërisht në mbikeqyrjen e cilësisë së ujit të pijshëm ka qenë jetike për shëndetin e popullatës së Kosovës – për çka edhe ishte nderuar me titullin Ambasadore e Ujit! Vepra dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Profesoreshës Selvete Hoxha Krasniqi do të mbeten përherë të shënuara në historikun e zhvillimit të shëndetësisë publike në vendin tonë.

Profesoresha Selvete ishte një personalitet shembullor, kolege e dashur dhe humaniste e madhe. E tillë do të mbetet përherë në kujtimet tona.

Pusho e qetë Profesoreshë e mike e dashur!

Do të kujtojmë përherë me dashuri dhe respekt të pafund!

Personeli i IKSHPK

Lajme me shume...