Veton Surroi takon Ali Ahmetin, kërkon edhe mbështetjen e Shkupit për Sekretar të RCC

Surroi kërkon edhe mbështetjen e Shkupit për Sekretar të RCC, takon Ahmetin.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti e ka pritur në takim të martën, publicistin Veton Surroi i cili ka kërkuar nga Shkupi mbështetjen për t’u zgjedhur sekretar i RCC-së.

Ahmeti ka thënë se me Surroin kanë biseduar mbi “momentumin politik në të cilin ndodhet rajoni, rëndësinë e ruajtjes së orientimit properëndimor të vendeve tona dhe përgjegjësitë e së ardhmes europiane”.

“Diskutuam bashkë edhe mbi perspektivën progresive që do të krijojë rrumbullakësimi i projekteve të ndërlidhjes më efikase mes vendeve tona si: Korridori 8, Rruga e Arbërit, rruga Tetovë – Prizren, vendkalimi i përbashkët kufitar dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit në sfera të ndryshme”, ka thënë Ahmeti.

Kreu i BDI-së, po ashtu tha se “duhet të bashkojmë forcat për të ngadhënjyer bashkë në rrugën pa alternativë tjetër, atë të integrimit në Bashkimin Europian”.