VOA: Ukraina, në konferencën e donatorëve premtime për 6.5 mld dollarë

Ukraina mori premtime për 6.5 miliard dollarë, kryesisht në ndihma humanitare, gjatë një konference ndërkombëtare donatorësh, e cila u mbajt sot në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, organizuar nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson.

Në një konferencë shtypi, kryeministri Morawiecki shpjegoi se donacionet u mblodhën nga vende të ndryshme dhe sipërmarrje private, shumë prej të cilëve morën pjesë personalisht dhe të tjerë, që bënë premtimet e tyre nga distanca.

Pjesa më e madhe e botës ka mbështetur gjerësisht Ukrainën dhe rezistencën e saj ndaj agresionit rus, duke ofruar ndihma të shumta humanitare. Por ndërsa lufta vijon, nevojat humanitare në Ukrainë janë bërë edhe më të mprehta. Përveç mijëra të vrarëve në luftë, miliona njerëz janë zhvendosur.

Kryeministri polak tha se Ukraina ka nevojë për mbi 12.000 ton ndihma humanitare çdo ditë, por se vetëm 3.000 ton arrijnë të shkojnë atje. Ai deklaroi se konferenca tregon se bota nuk është indiferente ndaj “luftës gjenocidale” të Rusisë. Ndërsa kryeministrja suedeze theksoi se qëllimi ishte të ndihmohet Ukraina, si tani ashtu edhe më vonë. “Ukraina do ta fitojë këtë luftë dhe ne do të qëndrojmë pranë jush”, tha ajo.

Konferenca e donatorëve u mbështet dhe nga Bashkimi Evropian. Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se shpresonte se konferenca mund të ishte një pikënisje për një “Plan Marshall” për Ukrainën, duke kujtuar planin e sponsorizuar nga SHBA-të, në përfundim të Luftës së Dytë botërore, që ndihmoi në ringjalljen e ekonomive evropiane.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “qindra miliarda euro dhe reforma” nevojiten për të rindërtuar Ukrainën dhe për të hapur rrugën e saj në BE”. Komisioni Evropian premtoi një paketë të re ndihme prej 200 milionë eurosh, për personat e zhvendosur në Ukrainë, bëri të ditur një deklaratë e Komisionit.

Ukraina ka marrë më shumë se 12 miliardë dollarë në armë dhe ndihmë financiare që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, shtoi kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal në një deklaratë në fund të konferencës.

Në ndërhyrjen e tij përmes një video mesazhi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se “Fati i kësaj lufte brutale do të vendoset jo vetëm në fushën e betejave, por dhe nga mbështetja ekonomike dhe financiare e aftësia për të garantuar një jetë normale në zonat e liruara dhe rindërtimi i asaj që është shkatërruar nga ushtria ruse”.

Në konferecën e donatorëve, me ftesë të organizatorëve, mori pjesë dhe Shqipëria e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama. “Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës e të rindërtimit, por jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës Kryeministrave të Polonisë e të Suedisë që na bënë pjesë të saj”, tha zoti Rama në fjalën e tij të shkurtër, duke shtuar se “deri në fund ne do të bëjmë më të mirën për të nderuar detyrimin tonë ndaj miqve tanë Ukrainas dhe popullit ukrainas, duke synuar sigurisht atë çka të gjithë këtu synojnë, që të kemi një fund të kësaj lufte e të shohim paqen të mbërrijë sa më shpejt të jetë e mundur”./VOA