Aeroplani me 113 pasagjerë përfshihet nga flakët

Një aeroplan i Tibet Airlines është përfshirë nga flakët pasi doli nga pista në qytetin jugperëndimor kinez të Chongqing të enjten në mëngjes.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të 113 pasagjerët dhe nëntë anëtarët e ekuipazhit u “evakuuan në mënyrë të sigurt”, tha linja ajrore në një deklaratë.

Më shumë se 40 pasagjerë me lëndime të lehta u dërguan në spital, sipas një deklarate nga Aeroporti Ndërkombëtar Chongqing Jiangbei.

Administrata e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) tha se 36 persona pësuan “mavijosje dhe ndrydhje gjatë evakuimit”.

“Sipas ekuipazhit të fluturimit, aeroplani pati një anomali gjatë ngritjes. Ata e ndaluan ngritjen pas procedurave”, tha CAAC. “Pasi aeroplani doli nga pista, motori u ‘ngjit’ për tokë dhe u përfshi nga flakët. Zjarri është shuar”.

Shkaku i aksidentit është nën hetim dhe operacionet e fluturimit në aeroport janë kthyer në normalitet, ka bërë të ditur aeroporti.

Breaking: Tibet Airlines A319 runway excursion at Chong Qing Intl Airport. pic.twitter.com/kasNSz3glP

— ChinaAviationReview (@ChinaAvReview) May 12, 2022