Avokati i njohur tregon se kush nga politikanët mund të përfshihet në listën e zezë të SHBA-së Copy

Lista e zezë e Thesarit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ka trazuar ujërat në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Kosovë, shkruan Bota Sot.

Pas vendosjes së sanksioneve ndaj grupit kriminal ndërkombëtar serb të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit me seli në veri të Kosovës, të mërkurën janë vendosur sanksione shtesë edhe ndaj kreut të “Republika Srpskas” në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, pasi ai muajt e fundit ka intensifikuar përpjekjet për shkëputje dhe destabilizim.

Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se SHBA nuk do të hezitojë shfrytëzimin e mekanizmit të sanksioneve për të çuar mesazh të fortë për personat e korruptuar dhe për ata që destabilizojnë rajonin e Ballkanit.

Lidhur me këtë avokati Tomë Gashi ka deklaruar se është e sigurt që së shpejti do të ketë edhe emra të tjerë që do të shënjestrohen nga departamenti i SHBA-së. Ai ka rikujtuar futjen në listë të zezë të ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha nga Departamenti i Shtetit.

Sipas tij, askush nuk e besonte se Berisha mund të ishte pjesë e kësaj liste. “Edhe pse është ditur për një mori aferash korruptive të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, para disa muajve nuk ka mund thuajse askush të besonte se departamenti shtetit amerikan do ta shënjestronte dhe ta vinte në listë të zezë bashkë me të gjithë anëtarët e familjes së tij të ngushtë”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, pas këtij veprimi Departamenti i SHBA-së bëri publike edhe një mori emrash, të cilët i futi në listën e zezë edhe në Kosovë.

Avokati Gashi ka theksuar me siguri se së shpejti do të ketë edhe emra të tjerë që do të përfshihen në listën e zezë të SHBA-së. “Dhe këta janë të gjithë serbë të veriut të Kosovës të identifikuar si grupe të organizuara kriminale dhe banditë që janë destabilizues të regjionit të përfshirë nga kontrabanda deri tek vrasja e politikanit serb OliverIvanoviq

Dhe është e sigurt që së shpejti do të ketë edhe emra të tjerë që do të shënjestrohen nga departamenti i SHBA e që do të futen në liste të zezë të cilëve përveç që do të ju pamundësohet udhëtimi në ShBA, do të kenë edhe restrikcione të tjera specifike”, ka nënvizuar ai.

Pjesë e listës së zezë ish-udhëheqës të lartë shtetëror dhe politik të Kosovës?

E përpos kësaj, Gashi ka thënë se kjo do të jetë edhe indicie për hetime penale vendore, ndaj atyre që do të jenë në këtë listë të zezë SHBA. “Sigurisht që unë nuk mund të spekuloj me emra që do të gjinden në këtë listë të SHBA-ve. Por ajo që dihet, asnjë zyrtar i qeverisë Kurti nuk do të jetë në këtë listë të zezë. Por, nuk përjashtohet mundësia që fatkeqësisht të kemi në këtë listë të zezë ish-udhëheqës të lartë shtetëror dhe politik të Kosovës”, ka përfunduar ai./Bota Sot

Lajme me shume...