Bislimi: Marrëveshja kur u nënshkrua ishte e keqe, e kthyem në normalitet pa thënë se është e mirë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog, deklaroi se marrëveshja e sotme me Serbinë është vetëm udhërrëfyes për hapat që duhet të ndërmerren deri te normalizimi i çështjes.

“Nuk trajtohen aspak çështjet pronësore. Është vetëm udhërrëfyes për hapat që duhet të ndërmerren deri te normalizimi i çështjes. E kemi publikuar edhe udhërrëfyesin, në asnjë fjalë s’përmendet asnjë aset, sepse udhërrëfim apo pikënisje është legjislacioni i Kosovës që e njeh KEDS-in si monopolist në ofrimin e shërbimit të shpërndarjes në Kosovë”, tha për RTK zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë.

Bislimi është përgjigjur edhe në pyetjet se pse Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë, e quante të dëmshme marrëveshjen.

“Marrëveshjen ne nuk e kemi pranuar. Marrëveshja është aty. Problemi ka qenë që marrëveshja kur është nënshkruar ka qenë e keqe dhe e kemi thënë publikisht dhe e kemi kundërshtuar për arsye se në momentin kur e negocion, ke hapësirë për negocim dhe mendojmë se ka qenë marrëveshje e dëmshme, mirëpo implementimi i saj ka qenë edhe më i dëmshëm. Ajo që ne kemi bërë me udhërrërfimin e sotëm është se e kemi kthyer situatën në normalitet, por pa thënë që marrëveshja është e mirë”, tha ai.