Dy vite pa progres në dialog, mëdyshje për vazhdimin e mandatit të Lajçak

Tre muaj para përfundimit të mandatit si përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është vënë në mëdyshje vazhdimi i punës së Miroslav Lajçak.

Mungesa e progresit në dialog gjatë dy viteve të ndërmjetësimit të Lajçak dhe ambiciet e tij personale po konsiderohet ndër arsyet që mund të ketë ndryshime. Megjithatë, nga Bashkimi Evropian nuk kanë kthyer përgjigje për pretendimet e tilla. Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve në dialog kërkojnë nga BE-ja që të ridefinojë rolin e vet në këtë proces, pavarësisht nëse ndërrohet apo jo lehtësuesi i dialogut.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), thotë për KosovaPress, se mungesa e progresit në dialog nuk ka qenë vetëm faj i Lajçakut, pasi s’ka pasur vullnet as nga palët për marrëveshje.

“Zotëri Lajcak ka pasur një rol të njëtrajtshëm në procesin e dialogut. Ai është përpjekur t’i përafrojë palët në qëndrimet e tyre sa i përket marrëveshjeve të veçanta. Nuk është se ka shënuar shumë progres, por kjo nuk është se ka qenë faji i tij, sa ka qenë mungesa e vullnetit të palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të arrijnë marrëveshje të caktuara. Pastaj ka pasur në mes edhe procese të shumta zgjedhore në kohën sa ka shërbyer Lajçak, ndërrim të qeverive në Kosovë dhe kështu me radhë”, thotë Haxholli.

Këmbëngulës në vazhdimin e mandatit të Lajçak është analisti Gazmir Raci, i cili thotë për KosovaPress, se Lajçak është diplomat i karrierës dhe person me ndikim në politikat e BE-së dhe Sllovakisë.Teksti vazhdon pas reklamës

Sipas tij, me mbështetjen e ShBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, Lajçak mund të shtyjë përpara procesin e dialogut.

“Zotëri Lajçak është diplomat i karrierës nga Sllovakia dhe person me ndikim, po ashtu ka ndikim edhe në politikën e BE-së, ka lidhje dhe kontakte të fuqishme edhe me përfaqësuesit e qeverisë amerikane. Atij duhet t’i vazhdohet përsëri mandati për shkak se është person që ka ndikim të madh dhe vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën dhe në rast se ndonjë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, pres që Sllovakia të jetë ndër të parat që do të njohë pavarësinë e Kosovës. Natyrisht ai nuk mund t’i shtyjë proceset vetëm, pa ndihmën e ShBA-së, Gjermanisë, Francës dhe po ashtu edhe të Britanisë së Madhe”, deklaron Raci.

Pavarësisht ndryshimeve të mundshme në procesin e ndërmjetësimit të dialogut, Violeta Haxholli nga KDI, thotë se BE-ja duhet të jetë më kërkuese dhe garantuese për marrëveshjen finale me njohje reciproke.

“Ende nuk jemi të njoftuar se ka plane që ai të zëvendësohet me ndonjë përfaqësues tjetër. Unë besoj se në këtë drejtim, BE-ja duhet në përgjithësi, varësisht çfarë përfaqësuesi do të shërbejë si lehtësues i procesit të dialogut, BE-ja ka mundësi të kushtëzojë më shumë Kosovën dhe Serbinë që të përkushtohen ndaj procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshje. Në këtë drejtim mund të kushtëzojë Serbinë në këtë rast që ka hapur kapituj me BE-në, të insistojë të zbatojë marrëveshjet e arritura dhe të tregohet më konstruktive në procesin e dialogut në përgjithësi. Pavarësisht nëse ndryshon apo jo personi që do të lehtësojë dialogun, pra nëse dikush do të zëvendësojë dialogun, besoj se BE-ja do të ridefinojë rolin e tij në këtë proces duke qenë më kërkues dhe garantues për marrëveshjen që arrihen dhe më kërkues ndaj palëve që të përkushtohen më shumë në këtë proces”, shton ajo.

Miroslav Lajçak ka marrë mandatin më 4 prill të vitit 2020, fillimisht me afat 1 vjeçar, pastaj vitin e kaluar i është zgjatur mandati deri më 31 gusht të vitit 2022.