Edi Rama deklarohet pas antarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

KE konfirmon aplikimin e Kosovës për anëtarësim

Rama: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, na vjen keq për Serbinë.

Gjatë intervistës së dhënë për mediat pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për kërkesën e Kosovës për në Këshillin e Europës, duke shprehur hapur mbështetjen e tij.

–Përpara darkës së mbrëmshme presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi për mediat e tij që e shoqëronin se Serbia do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin e Europës. Shqipëria ka një qëndrim në lidhje me këtë? Cila do të jetë vota e saj?

“Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok. Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të pasur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën”, ka thënë Rama.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, sot në Strasburg të Francës.

Gërvalla njoftoi se nga sot fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës nga ana e Këshillit, derisa tha se është optimiste që Kosova do të jetë anëtare e kësaj organizate të të drejtave të njeriut.