Edi Rama me fjalë të rënda për Bullgarinë: Ka kidnapuar dy vende të NATO-s

Presidentja Osmani takohet me Macronin para nisjes së Samitit

Rama në Bruksel me fjalë të rënda për Bullgarinë: Ka kidnapuar dy vende të NATO’s.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur pesimist dhe ka folur pa ndrojtje para gazetarëve përpara Samitit të krerëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Rama tha se Bullgaria po i mban peng Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke mos shprehur aspak optimizëm se BE do t’i hapë negociatat për anëtarësim.

Ai tha po ashtu se vendet tjera të BE-së nuk po bëjnë asgjë tjetër përveçse po vështrojnë.

“Unë ua kam thënë dhe po e përsëris. Përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel, nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por edhe nëse do të zgjidhet, do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufi të Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë”, tha Rama.

Procesi i anëtarësimittë Shqipërisë në BE ka ngecur. Një ditë më parë u rrëzua qeveria bullgare, e cila ka vendosur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, gjë që i ndalon në rrugën drejt BE-së të dyja vendet.