Freedom House: Kosova po shënon përparim të vazhdueshëm

Sipas Freedom House, Kosova shënoi përparim të vazhdueshëm.

Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që për të pestin vit me radhë ka shënuar përparim në raportin e organizatës Freedom House për demokratizmin e vendeve.

I titulluar “Vendet në tranzicion, 2020”, raporti vlerëson gjendjen e qeverisjes demokratike në 29 vende në Evropë dhe Euroazi.

Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta me të lartin, Kosova i ka 3.18 pikë, krahasuar me 3.11 sa ka pasur vitin e kaluar.

Përparim të lehtë ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, duke siguruar 3.75 pikë, krahasuar me 3.68, vitin e kaluar.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë shënuar përkeqësim, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë mbetur në të njëjtën pozitë.

“Përkundër disa marrëveshjeve të suksesshme politike dhe përparimit teknik drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendet në tranzicion kanë shënuar përkeqësim të demokracisë, sidomos Serbia dhe Mali i Zi”, thuhet në raport.

Të gjitha vendet e Ballkanit, përveç Kroacisë, bëjnë pjesë në grupin e “regjimeve kalimtare ose hibride”. Këto, sipas Freedom House, janë demokraci zgjedhore, ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida reale për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

Serbia dhe Mali i Zi kanë dalë këtë vit – për herë të parë qysh më 2003 – nga kategoria e demokracive.

“Kapja e shtetit, abuzimi i pushtetit dhe taktikat e të fuqishmëve, të praktikuara nga Aleksandar Vuçiq në Serbi dhe Millo Gjukanoviq në Mal të Zi, kanë bërë që këto vende të kapërcejnë kufijtë. Ato nuk kategorizohen më si demokraci”, thuhet në raport.

“Prejse ka marrë pushtetin në vitin 2012, Partia Përparimtare Serbe ka kufizuar vazhdimisht rolin e opozitës në qeverisje”, thekson Freedom House.

Organizata nxjerr në pah se numri i demokracive është në pikën më të ulët në historinë 25-vjeçare të raportit: nga 29 vendet e vlerësuara, dhjetë janë demokraci, dhjetë janë regjime hibride dhe nëntë janë regjime autoritare.

VINI RE ! - Lajmi qe eshte portuar eshte mare nga portalet tjere. Nese preke privatesine ky lajme ju lutem na informoni ne facebook ne e fshijme lajmin menjehere. Nuk mbajme persiper per lajmet e postuara. KosovaToday nuk eshte Agjensi per Lajme vetem riboton lajmet nga portalet tjere. Me respekt KosovaToday.
Reklamat e meposhtme jane te kompanise MGID nese blini dicka nuk garanton KosovaToday - Jan Reklama te Kompanise MGID.

Lajme te ngjajshme !

Lajme te ngjajshme !