Hapet rruga për konfiskimin e pasurisë/ E mbështet edhe Komisioni i Venecias

Kurti: Javën tjetër i’a dorëzojmë ofertën  veteranëve

Të premtën mbrëma u raportua se, Komisioni Evropian për Demokraci, i njohur ndryshe si Komisioni i Venecias, ka mbështetur draft-dokumentin për vetingun të përpiluar nga Ministria e Drejtësisë dhe projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kështu u raportua në media e të cilat ishin konfirmuar nga Ministia e Drejtësisë, se të gjithë anëtarët e Komisionit të Venecias me opinionet e tyre i hapin rrugë dërgimit të Ligjit të vetingun për votim në Parlamentin e Kosovës me ndryshime kushtetuese.

Komisioni i Venecias ka lejuar ndryshimet kushtetuese per Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Kryeprokurorin e Prokurorise Speciale dhe Kryeprokuroret e Prokurorive Themelore dhe kryetaret e të gjitha niveleve te Gjykatave në Kosovë.

Gjithashtu edhe projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në përgjithësi është mbështetur nga Komisioni i Venecias mirëpo ky komision ka dhënë disa propozime për disa nene të këtij projektligji.

Çka parasheh ligji?

Një ligj të tillë, Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021. Në muajin shkurt të këtij viti, ndërkaq është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Siç thuhet në projektligj, ai zbatohet ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë, personat e ekspozuar politikisht, anëtarët e tyre të familjes dhe palët e treta.

Projektligji përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Persona të ekspozuar politikisht nënkupton personat fizikë të huaj apo vendorë, të cilët janë ose kanë qenë të ngarkuar me funksione të larta publike.

Pasuria do t’iu verifikohet edhe anëtarëve të familjes, bashkëshortit/es, fëmijëve, prindërve, vëllezërve, motrave dhe palëve të treta.

Cilat janë kompetencat e Byrosë?

Sipas legjislacionit, byroja ka kompetencat dhe përgjegjësitë për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtron propozimin për konfiskim të pasurisë në gjykatë.

Projektligji thotë se byroja udhëhiqet nga drejtori i Përgjithshëm që votohet nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e drejtorit bëhet në mënyrë të fshehtë. Mandati i drejtorit është pesëvjeçar.

Sipas projektligjit, për fillimin e procedurës për verifikim vendos drejtori i byrosë, dhe pastaj byroja vazhdon me mbledhjen dhe hulumtimin e dokumentacionit relevant për rastin.

Në rast se nga të dhënat e mbledhura dëshmohet mospërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, atëherë zyrtari i byrosë propozon dërgimin e çështjes për konfiskim në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ky propozim i dorëzohet drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas parashtron propozim për konfiskim.

Tërnava: Hapet rruga për konfiskimin e pasurisë

Në lidhje me këtë çështje ka folur ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, i cili thotë se, është tepër e vëshitrë të çrrënjoset kjo dukuri negative, pasi që, njerëzit që ishin deri më tani në poste të larta shtetërore kishin qëllimin vetëm te pasurimi i tyre sa më i madh, sikur që edhe ia arritën atij qëllimi.

“Me këtë ligj i hapet rrugë konfiskimit të të pasurisë së pajustifikueshme ku të fortit e shtetit janë pasuruar skajshmërisht duke na shitur moral patriotik dhe ligjor”, shperhet Tërnava.

Sipas tij, raportet e monitorimit po dalin vazhdimisht negative, prandaj po bëhet gjithnjë e më urgjente nevoja për ta reformuar, pastruar dhe rindërtuar.

“Kjo gjendje ekzistuese po e dëshmon se padyshim, dështimi i luftimit të krimit dhe korrupsionit nga institucionet e drejtësisë është një hallkë e fortë e koordinuar ngushtë në mes të rrjetit të fuqishëm të krimit të organizuar dhe prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar. Përkundër kritikave dhe presionit të fuqishëm publik e mediatik, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po vazhdon të mbetet njollë e madhe dhe vazhdimisht një segment i dështuar i sistemit të drejtësisë”, thotë Tërnava.

Ai shprehet se, edhe raporti i fundit i mbikëqyrjes së institucioneve të sundimit të ligjit nga Grupi për studime juridike dhe politike, luftimin e krimit dhe korrupsionit, pastrimin e parasë së pistë dhe rastet e fajdeve, i vlerëson dështimet më të mëdha si raste serioze në gjykatat e Kosovës, lëndë këto që vazhdimisht barten nga viti në vit dhe nuk gjykohen.

“Të korruptuarit nuk po e mirëpresin miratimin e Ligjit për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, prandaj kjo është një shenjë paralajmërimi se vërtetë me miratimin e këtij ligji do të krijohet një tërmet i madh i përmbysjes së biznesmenëve të mafio politikës”, thotë ai.

“Koha nuk pret, duhet vepruar”

Sipas tij, pastrimi duhet të fillon pa vonesë sepse që nga fillimi i ndërtimit të shtetit të Kosovës, nëpër poste shtetërore janë emëruar njerëz të besueshëm të klaneve, më qëllimin e pasurimit të tyre.

“Aq thellë është ngulitur ndikimi i krimit të organizuar në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet tjera publike, sa që edhe sikur të fillohej tani rrënjësisht të luftohet e pastrohet, do të kalohej një kohë e gjatë që ti spastrojmë ato vende të punës në të cilat dhe nga të cilat është stimuluar krimi. Koha nuk pret por duhet vepruar, sistemi i drejtësisë duhet dekriminalizuar duke u pastruar, dhe për ato vende duhet të gjenden njerëz të shkolluar dhe të aftë, që ti shtyjnë gjërat para, të stimulohen njerëz të ri, që do të dëshmohen dhe do t’i tregojnë aftësitë dhe sukseset e tyre me spastrimin e atyre institucioneve nga e kaluara e lidhur me krim”, thotë ai.

Tërnava pohon se, ata që e kanë ‘mizën pas veshi’ i ka kapur paniku.

Kush po frikësohet?

“Ky ligj do t’ua qet ato të këqija ne shesh, sepse po këtyre ‘burra të mirë’ që i shtireshin popullit, haptazi do të ju dalin të gjitha të palarat në shesh dhe do të ju zbulohen ato marifete kriminale, edhe pse populli i mashtruar shumë herë po këtyre jua pati dhënë votën. Tani ky panik që i ka kapluar ata po bëhet gjithnjë e më e frikshme, sepse Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme nga njerëzit e pushtetit po jua mbyllë rrugët e pasurimit dhe po ju vjen si lajmëtarë për ta rikthyer atë që e kanë fituar kundërligjshëm nga shteti, me abuzim të detyrës zyrtare e forma tjera të shkeljes së ligjit”, potencon ai.

Ai thekson se, njerëzit e ndershëm nuk kanë nevojë me u frikësua e as nuk e paraqesin këtë frikë.

“Frika që dikush mundet me pas probleme ligjore munden me qenë të arsyeshme, sepse ky është qëllimi i ligjit, por frika e atyre njerëzve që i frikësohen këtij projektligji janë vjen vetëm nga ata që e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare e që do të hetohen, vlerëson dhe detyron për t’i kthye paret atje ku i kanë marrë. Pasi të ketë kaluar gjitha komisionet e Kuvendit dhe dëgjimit publik, Ligji i dërgohet për miratim seancës së radhës të Kuvendit dhe kështu krijohet një mekanizëm i fuqishëm i konfiskimit të asaj pasurie të fituar kundërligjshëm por edhe për luftimin dhe parandalimin e mundësisë së pasurimit në të ardhmen duke plaçkitur buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit. Me këto veprime ligjore që po i ndërmerr kjo Qeveri, edhe qytetarit do t’ia kthej mendjen, se Kosova ka njerëz të ndërgjegjshëm dhe që ia donë të mirën këtij vendi, kurse ata që përfitojnë në mënyra kriminale e kanë vendin në burgje”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Mirëpritet ligji!

Ndryshe, edhe koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu e ka mirëpritur miratimin e koncept-dokumentit të ligjit për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas tij, një ligj i tillë lehtëson në masë të madhe punën e Prokurorisë dhe gjithë zinxhirit të drejtësisë për konfiskim të pasurisë të kundërligjshme. Fazliu lidhur me koncept-dokumentin e Ligjit për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme thotë se si koordinator e ka kërkuar tash e shtatë vite.

Sipas tij, ky ligj i cili njihet si ligji anti-mafia do të ndikojë që ndjeshëm të rritet shifra e konfiskimit përfundimtar.

“Ne si institucioni dhe si koordinator kam kërkuar qysh në korrik të vitit 2014, pra ka rreth 7 vite që ne e kemi kërkuar këtë ligj….Meqenëse e kemi kërkuar vetë natyrisht unë e mirëpres në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike një aprovimin e një ligji të tillë meqenëse do e lehtësoj në masë të madhe punën e prokurorisë apo edhe të sistemit të drejtësisë pasi që në shumicën e vendeve të botës në të cilat ekziston ky ligj është rritur ndjeshëm shifra e konfiskimit përfundimtar pas aprovimit të këtij ligji….Sa i përket asaj se sa do na ndihmoj kjo është shumë e dukshme dhe shumë e qartë ky ligj mund dhe do i ndihmoj institucionet e drejtësisë jo vetëm prokurorinë por edhe Policinë e gjykatat ngase është më e lehtë të arrihet deri tek konfiskimi përfundimtar meqenëse dallimi në mes ligjeve aktuale që i kemi në fuqi dhe konfiskimit pa aktgjykim dënues është se nuk ka nevojë të kemi një aktgjykim dënues për ndonjë person në mënyrë që të kërkohen konfiskimi i pasurisë”, theksoi ai.

Sipas Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, ky ligj nuk shkel asnjë nen të Kushtetutës së Kosovës dhe as Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, meqenëse konfiskimi konsiderohet i natyrës civile dhe jo i procedurës penale.

Si veprohet pas këtij ligji?

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.

Sipas këtij ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në vitin 2020 dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.

Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro.