Kosova nënshkruan marrëveshjen me MCC-në, Osmani e Kurti e quajnë historike

Në Uashington është nënshkruar marrëveshja 202 milionëshe mes Kosovës dhe MCC-së.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright.

Në fjalën e saj, Albright tha se komponenti kryesor është investimi në ruajtjen e baterive në shkallë të gjerë, e cila, sipas saj, do të rrisë fleksibilitetin e rrjetit energjetik të vendit dhe do të zvogëlojë koston e sigurimit të energjisë.

Për marrëveshjen, presidentja Osmani tha se ShBA-ja po vazhdon ta mbështesë Kosovën dhe sipas saj, është koha që të hartohen politika më të mira për t’u përballur me situatën energjetike.

“Marrëveshja me MCC është investimi më i madh në dekada me radhë, që do të na ndihmojë që të përballemi me krizën. Marrëveshja në afron drejt një sistemi të energjisë drejt nevojave të së ardhmes”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.

Për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në, foli edhe kryeministri Kurti i cili tha se “strategjia jonë e energjisë shkruan rrugën tonë drejtë një të ardhme të dekarbonizuar. Ky program kompakti është esencial, jemi duke punuar intensivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë”.

Çfarë ofron kjo marrëveshje?

Kosova pritet të forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe në të njëjtën kohë të kursejë miliona euro në vit.

Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, përqendrohet në projekte të energjisë.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja synon që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Pas nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave.

Por, çfarë përfitimesh konkrete do të ketë Kosova nga ky program?

Rezerva të energjisë përmes baterive

Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i ruajtjes së energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Kjo nënkupton që rryma e prodhuar në kohë të caktuar, të mund të akumulohet, në mënyrë që të shfrytëzohet në orët e ditës, kur kërkesa për energji, por edhe çmimet janë më të larta.

Përmes baterive mëtohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.

Po ashtu, në nivel të Programit Kompakt, afër 1.8 milionë persona pritet të përfitojnë nga investimi i MCC-së. Ky vlerësim bazohet në Projektin për Ruajtjen e Energjisë, që mëton t’i mbulojë të gjitha familjet që janë të lidhura me rrjetin elektrik – zyrtarisht raportohet se janë 100 për qind e amvisërive të Kosovës.

Gjatë sezonit të dimrit, kur rritet kërkesa për energji elektrike, konsumatorët shpenzojnë deri në 1.300 megavate në ditë, ndërkaq kapaciteti i prodhimit të dy termocentraleve në Obiliq, Kosovës A dhe B, arrin deri në 800 megavate. Pjesa tjetër e kërkesës për energji mbulohet nga importi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka thënë se më 2021, vendi ka importuar 1.311.461 megavate rrymë.

Sipas MCC-së, Projekti i Ruajtjes së Energjisë synon që të mbështesë sigurinë energjetike, por edhe që Kosova të kalojë në energjinë e pastër.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka deklaruar më herët se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga Programi i ri Kompakt i MCC-së.

Sipas vlerësimeve të MCC-së, norma e brendshme e kthimit të këtij projekti pritet të jetë 8.7 për qind.

Projekti për fuqizimin e grave në sektorin e energjisë

Në kuadër të Kompaktit është edhe projekti për Përshpejtimin e Drejtë të Tranzicionit (JETA) që ka dy objektiva parësore: të nxjerrë të diplomuar, të cilët mund të punësohen në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë numrin e grave të punësuara në sektorin e energjisë, të cilat marrin pjesë në Aktivitetin Gjithëpërfshirës të Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë.

Kjo pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që gratë që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe, në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i tyre në këtë sektor.

Sipas MCC-së, në Kosovë niveli i punësimit të grave është 14.1 për qind, që është një prej përqindjeve më të ulëta në rajon dhe botë. Ndërkaq, gratë afariste përbëjnë vetëm dhjetë për qind, krahasuar me 33 për qind të nivelit të afaristeve gra në botë dhe rajon.