Kurti flet për darkën me Vuçiqin, tregon për temat për të cilat kanë folur

Mes Kurtit dhe Vuçiqit ka pasur një takim.

Kryeministri Albin Kurti, ka folur për darkën “joformale” që u shtrua mbrëmë në Berlin, për të dhe presidentin e
Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti tha se gjatë kësaj darke i ka mbrojtur interesat e shtetit.

“Kam mbrojtur interesat e shtetit. Gjithmonë duke e pasur dysheme dhe tavan ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem, me shumë përgjegjësi për detyrën që e mbaj, dhe në të njëjtën kohë me krenari për pozitën që më është besuar”, tha shefi i qeverisë në konferencën e përbashkët me ministren gjermane të Mbrojtjes.
Kurti tha se nuk janë në parim kundër dialogut, porse nuk duan dialog pa parime.

“Ne nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një nga parimet është barazia e palëve. Në atë darkë, nuk kemi pasur gjellëra të ndryshme. Ka qenë barazia e palëve dhe e kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit mes kryenegociatorëve”, shtoi Kurti.

Mes tjerash, ai shpreson që më 13 maj kur do të takohen në Bruksel kryenegociatorët e dy vendeve Kosovë-Serbi, të zgjidhen çështja e tarave dhe mos-pagesës së energjisë elektrike në veri të vendit.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhjen reciproke të targave si dhe mos-pagesës së energjisë në veri dhe po ashtu për nevojën për të përshpejtuar zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në luftë”.

Po ashtu, ai tha se darka jo-formale e djeshme në Berlin ishte darkë pune e organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Darka e mbrëmshme ishte darkë pune e organizuar nga kancelari Olaf Scholz, me ç’rast e falënderoj për kohën dhe mikpritjen e tij për t’i normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që ato të jenë të mira dhe fqinjësore”, përfundoi Kurti.

Ndryshe, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u lajmërua mbrëmë menjëherë pas darkës që u shtrua në Berlin të Gjermanisë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Edhe pse kjo darkë u paraqit si “joformale”, në foton e publikuar nga Lajçaku, ai, Kurti e Vuçiqi shihen me një grumbull dokumentesh afër vetes.

Lajçak bëri me dije se më 13 maj do të vazhdojnë diskutimet në nivel kryenegociatorësh.

“Mirëprita mundësinë për një darkë joformale me kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq, ku diskutuam edhe për dialogun. Mirënjohës ndaj Qeverisë së Gjermanisë për pritjen. Më 13 maj do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve”, shkroi Lajçak.